Pekini: Uashingtoni po minon interesat tona

Kina akuzon Shtetet e Bashkuara se po i shtyjnë marrëdhëniet e përbashkëta drejt një “Lufte të Ftohtë”. Faktori kryesor dhe më i fundit janë akuzat e Uashingtonit se Pekini është përhapësi i koronavirusit. Shqetësimi u shpreh në përfundim të Mbledhjes së 13 të Kongresit Kombëtar Popullor që ka atributet e parlamentit në Kinë.

Zhang Yesui, zëdhënës i Kongresit Popullor Kombëtar: Nëse Shtetet e Bashkuara nxisin mentalitetin e “Luftës së Ftohtë”, mbështesin një strategji kontrolli kundër Kinës dhe minojnë parimet themelore dhe interesat e vendit, e gjitha kjo do të përfundojë duke lënduar vetveten.

Zyrtari kinez tha se marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Kinën janë marrë peng nga grupe politike amerikane. Ai i bëri thirrje Uashingtonit të reshtë së shfrytëzuari çdo mundësi për të goditur imazhin e Kinës, në botë.

Presidenti amerikan Donald Trump akuzon Kinën për përhapjen e Covid-19. Ai është shprehur se virusi ka dalë nga laboratori i virologjisë në Wuhan. Që prej nisjes së presidencës së Trumpit, tensionet janë shtuar në disa fusha përfshirë luftën tregtare e teknologjike.

Tv Klan