Të dyja superfuqitë botërore ngritën akuza të ndërsjellta për sigurinë kombëtare, Ujgurët si dhe tregtinë

Zyrtarët amerikanë dhe kinezë janë përplasur me njëri-tjetrin në bisedimet e para të nivelit të lartë midis administratës së Biden dhe Kinës, që zhvillohen në Alaskë.

Pekini akuzoi SHBA se ka nxitur vendet për të sulmuar Kinën. Marrëdhëniet midis dy superfuqive janë më të tensionuara për vite me rradhë. SHBA u zotuan të ngrenë çështje të diskutueshme si trajtimi i Pekinit ndaj muslimanëve Ujgurë në Xinjiang.

Bisedimet përfshinë Sekretarin e Shtetit Antony Blinken dhe Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan në anën e SHBA, të cilët u përballën  me zyrtarin më të lartë të politikës së jashtme të Kinës, Yang Jiechi dhe ministrin e jashtëm Wang Yi.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se veprimet e Kinës kërcënojnë rendin dhe sigurinë kombëtare. Ai tha se SHBA-ja do t’i diskutojë shqetësimet e saj të thella për veprimet e Kinës edhe në Ksinjiang. Uashingtoni e akuzoi Pekinin për gjenocid kundër ujgurëve myslimanë në këtë rajon.

Blinken theksoi se SHBA-ja do të diskutojë edhe për Hong Kongun, Tajvanin, sulmet kibernetike dhe detyrimin ekonomik të Kinës ndaj aleatëve amerikanë. Gjatë takimit u prek edhe tema më e nxehtë ajo e tregëtisë, ku Shtetet e Bashkuara të Amerikës akuzuan Kinën për praktika të padrejta, të tilla si subvencionimi i industrive, vjedhja e pronës intelektuale, mbajtja e monedhës së saj të ulët dhe vendosja e barrierave në tregti.

Nga ana e saj, Kina dëshiron që tarifat e mëdha tregtare të prezantuara nga administrata Trump për mallrat kineze të eliminohen. Ky ishte takimi i parë i nivelit të lartë midis SHBA dhe Kinës që nga qershori i kaluar, gjatë administrimit të presidentit të mëparshëm të SHBA, Donald Trump.

Klan News