Zhvillimet e fundit janë në qendër të vëmendjes se komunitetit ndërkombëtar

Kina është e gatshme të bisedojë me udhëheqësit e qeverisë së re talebane në Afganistan. Lajmi u bë i ditur nga zëdhënësi i ministrisë së jashtme Wang Wenbin në konferencën e përditshme në Pekin kur u pyet nëse Kina do të njohë qeverinë e re afgane  ose  jo.

Pasi talebanët morën pushtetin në gusht, Kina ka kërkuar vazhdimisht krijimin e një qeverie “të hapur dhe gjithëpërfshirëse”.

“Shpresojmë që autoritetet e reja të Afganistanit të dëgjojnë gjerësisht njerëzit e të gjitha racave dhe fraksioneve, në mënyrë që të përmbushin aspiratat e popullit të tij  dhe pritshmëritë  e bashkësisë ndërkombëtare”.

Kina respekton sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Afganistanit, ka vijuar më tej zëdhënësi.

Kjo situatë ka shqetësuar Presidentin amerikan Joe Biden, i cili tha  se ishte i sigurt se Kina do të përpiqet të arrijë një marrëveshje me talebanët.

“Kina ka një problem të vërtetë me talebanët. Kështu që ata do të përpiqen të arrijnë një marrëveshje, jam i sigurt. Ashtu si Pakistani, ashtu si Rusia, ashtu si Irani. Ata të gjithë po përpiqen të kuptojnë se çfarë duhet të bëjnë tani “.

Shtetet e Bashkuara dhe Grupi i Shtatëshes kanë rënë dakord të koordinojnë përgjigjen e tyre ndaj talebanëve, dhe Uashingtoni ka bllokuar qasjen e talebanëve në rezervat e Afganistanit, shumica e të cilave mbahen nga Rezerva Federale e Nju Jorkut, për të siguruar që ata të përmbushin premtimet e tyre duke respektuar të drejtat e grave dhe të drejtën ndërkombëtare.

Por ekspertët thonë se një pjesë e madhe e asaj fuqie ekonomike do të humbasë nëse Kina, Rusia ose vende të tjera u japin fonde talebanëve.

Klan News