Kina hedh poshtë planin për hetim ndaj Covid


Kina hedh poshtë planin për hetim ndaj Covid

22:40 22/07/2021

Pekini argumenton se gjurmimi i përgjigjes ndaj pandemisë sfidon shkencën dhe thyen privatësinë

Kina ka hedhur poshtë planin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për një fazë të dytë të një hetimi mbi origjinën e koronavirusit, i cili përfshin hipotezën se virusi mund të ketë dalë nga një laborator kinez.

OBSH këtë muaj propozoi një fazë të dytë të studimeve për origjinën e koronavirusit në Kinë, duke përfshirë auditimet e laboratorëve dhe tregjeve në qytetin e Wuhan si dhe duke kërkuar transparencë nga autoritetet.

Zeng Yixin, zv.ministër i Komisionit Kombëtar të Shëndetit në Pekin është shprehur se qeveria nuk do t’a pranojë një plan të tillë për gjurmimin e origjinës pasi ai, në disa aspekte, shpërfill mendjen e shëndoshë dhe sfidon shkencën.

Kreu i OBSH-së më herët gjatë këtij muaji u shpreh se hetimet për origjinën e pandemisë COVID-19 në Kinë po vështirësoheshin nga mungesa e të dhënave të para në ditët e para të përhapjes atje. Autoritetet kineze janë shprehur se ka disa të dhëna që nuk mund të ndahen plotësisht për shkak të shqetësimeve të privatësisë.

Origjina e virusit mbetet e kontestuar midis ekspertëve. Rastet e para të njohura u shfaqën në qytetin Wuhan në Dhjetor 2019. Virusi besohej të kishte qarkulluar nga kafshët që shiteshin për ushqim në një treg të qytetit.

Me shpërthimin e koronavirusit në botë, Trump akuzoi hapur Kinën, madje duke kërkuar dëmshpërblim prej saj. Por me ardhjen e Presidentit Joe Biden, administrata kërkoi një përgjigje mbi origjinën duke thënë se agjencitë e inteligjencës amerikane po ndiqnin teori më të forta duke përfshirë mundësinë e një aksidenti laboratorik në Kinë.

Klan News







Të ngjashme