Pasi fitoi betejën me Covid-19, Kina tanimë ka vendosur që të japë ndihmën e saj për të gjitha vendet që janë në krizë.

Qeveria e Pekinit ka deklaruar se do të ofrojë 2 miliardë dollarë ndihma për shtetet të cilat sot po vuajnë më shumë nga pandemia. Këtë e bëri të ditur presidenti kinez Xi Jinping në një fjalim të mbajtur online, ku theksoi se popujt e vendeve të ndryshme kanë bërë gjithçka duke luftuar fort me këtë virus vdekjeprurës.

Sipas tij Kina ka mbajtur përgjegjësitë e saj në përgjigjen që i ka dhënë luftës së koronavirusit duke mos fshehur asgjë.

“Gjatë gjithë kohës, Kina ka vepruar në mënyrë të hapur, transparente dhe të përgjegjshme. Kemi dhënë për të gjithë informacione të sakta si OBSH-së dhe të gjitha vendeve që sot na akuzojnë. Madje jo vetëm kaq edhe më herët por edhe sot ne po ofrojmë ndihmën tonë për të luftuar virusin”.

Xi Jingping  i bëri thirrje të gjitha qeverive që të bashkojnë forcat për ndërtimin e një bashkësie globale të shëndetit. Gjatë fjalimit ai paraqiti edhe 5 hapat kryesore që do të ndërmerren nga qeveria kineze në luftën kundër Covid-19.

Sipas presidentit kinez shumë shpejt do të krijohet një urë bashkëpunimi me OKB për të ndërtuar një qendër të reagimit humanitar global për të bërë të mundur furnizimin e të gjitha medikamenteve nëpër botë.

Ndër të tjera, ai u shpreh se shumë shpejt do të bëhet i mundur bashkëpunimi edhe me spitalet kineze edhe atyre afrikane duke ngritur kështu një seli të veçantë që do të merret me identifikimin dhe trajtimin e të sëmurëve sidomos në këtë vende.

Prodhimi i vaksinës po ashtu ishte pjesë e këtyre hapave që sipas presidentit të Kinës pas studimit dhe hyrjes në përdorim do të bëhet një produkt publik global. Në krijimin e saj po marrin pjesë universitete, laboratore dhe shkencëtarë të cilët po hulumtojnë për të gjetur kurën efikase ndaj Covid-19.

Xi Jingping u shpreh se për të gjitha këto duhet të luaj një rol udhëheqës i OBSH dhe organizata të tjera për të rritur kështu fondet ndaj vendeve që po përballen jo vetëm me Covid-in por edhe me sëmundje të tjera.

Klan Plus