Kina i ka kthyer paradhënien që Maqedonia e Veriut i ka dhënë për të siguruar 200.000 doza të vaksinës kundër koronavirusit, të cilat do të duhej të arrinin në fund të muajit shkurt.

Radio Evropa e Lirë ka pyetur Ambasadën kineze në Shkup se pse është kthyer paradhënia për vaksinat dhe nga kjo ambasadë kanë thënë se “Kina është e gatshme të vazhdojë bashkëpunimin në luftën kundër pandemisë”.

“Maqedonia e Veriut vendosi të furnizohet me vaksina nga Kina dhe me këtë dëshmoi se ka besim në Kinën. Kina i jep rëndësi të madhe nevojës që Maqedonia e Veriut të sigurojë vaksina dhe i mbështet kompanitë relevante që të komunikojnë me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut për furnizim me vaksina”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së Kinës në Shkup.

Më 17 shkurt, në Maqedoninë e Veriut nisi vaksinimin e punëtorëve shëndetësorë kundër sëmundjes COVID-19, me mbi 4.000 doza të vaksinës së Pfizer/BioNTech, që i mori donacion nga Qeveria e Serbisë.

Më 8 shkurt, Maqedonia e Veriut bëri të ditur se ka arritur marrëveshje për sigurimin e 200.000 dozave të vaksinës Sinopharm nga Kina.

Nga Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut thonë se pavarësisht se kompania Sinopharm ka kthyer mbrapsht paradhënien për vaksinat, marrëveshja me këtë kompani nuk është anuluar. Nga ky dikaster thonë se kjo gjë ka ndodhur me kërkesë të palës kineze, për shkak të harmonizimit të dokumentacionit.

“Negociatat (me kompaninë kineze, Sinopharm) janë në fazën e fundit dhe mendoj se i gjithë procesi do të përfundojë dhe vaksinat me të vërtetë do të arrijnë në vendin tonë për një kohë shumë të shkurtër”, ka deklaruar ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Ndërkaq, kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, të martën deklaroi se është i gatshëm që të marrë përgjegjësi për vonesat e vaksinave, megjithëse u arsyetua se shteti i tij nuk është i vetmi që po përballet me mungesë të vaksinave, pasi probleme me furnizim, sipas tij, kanë edhe vendet e Bashkimit Evropian.

“Mungesa e vaksinave është prezentë në gjithë botën. Vendi ynë ka bërë gjithçka që është e nevojshme që sa më parë të marrë vaksinat. Kemi ndërmarrë veprime që nënkuptojnë marrëveshje për marrjen e vaksinave, diku kemi dhënë edhe paradhënie, me të vetmin qëllim që të arrijmë marrëveshje me të gjitha kompanitë e vaksinave”, ka deklaruar Zaev.

Zaev ka shtuar se është çështje ditësh, kur në Maqedoninë e Veriut do të arrijnë vaksinat, nga marrëveshja e drejtpërdrejtë që shteti ka nënshkruar me kompaninë amerikane, Pfizer.

“Ja, në Shqipëri arritën vaksinat dhe pres këto ditë të arrijnë edhe te ne vaksinat e Pfizerit”, është shprehur Zaev.

Por, sipas mjekëve, qytetarët nuk duan t’ia dinë për telashet rreth furnizimit me vaksina sepse ata thjesht janë të brengosur se pse në Maqedoninë e Veriut ende nuk po vaksinohen grupet më të rrezikuara të shoqërisë, siç janë të sëmurët kronikë dhe të moshuarit mbi 70 vjeç.

Aleksandar Stojanov, mjek epidemiolog, njëherësh ish-drejtor i Qendrës së Shëndetit Publik, thotë për Radion Evropa e Lirë se mbetet enigmë e madhe se pse autoritetet ende nuk kanë arritur që të sigurojë vaksina, edhe pse me këtë problem po përballen shumë shtete.

Ai thotë se sa më parë duhet të nisë vaksinimi i grupeve më të rrezikuara, në mënyrë që të shmanget një valë e re e pandemisë.

“Nëse situata mbetet e këtillë për një kohë të gjatë, ndërkohë që shohim se varianti britanik i virusit po përhapet me shpejtësi dhe nëse ne nuk arrijmë të sigurohemi me vaksina, ndërkohë që masat kanë filluar që gjithnjë e më pak të respektohen, do t’i japim kohë që virusi të pësojë mutacion dhe ka rrezik që këto vaksina, që tashmë janë në treg, të mos kenë efekt. Rregull është që gjatë çdo pandemi, për një afat sa më të shkurtër të vaksinohen sa më shumë njerëz. Përderisa, shtete si ky i yni, ende nuk kanë arritur t’i vaksinojnë grupet e rrezikuara”, thotë Stojanov.

Në Maqedoninë e Veriut po vazhdon vaksinimi i personelit mjekësor, që përkujdeset për pacientët me COVID-19.

Në dy javët e fundit, në këtë shtet ka pasur rritje të rasteve të reja me koronavirus dhe sipas analizave të bëra nga punëtorët shëndetësorë, 50 për qind të të infektuarve janë me variantin e ri, që fillimisht ishte detektuar në Mbretërinë e Bashkuar.

Ky variant, besohet se është më ngjitës sesa varianti fillestar i virusit.

Maqedonia e Veriut, përveç se ka një marrëveshje për sigurimin e vaksinave të Pfizerit, po ashtu pret të marrë 800.000 doza të vaksinës nga programi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX. Ky program ka për qëllim që të shpërndajë vaksina në vende të varfra.

Qeveria maqedonase po ashtu ka arritur edhe një marrëveshje për furnizim me vaksinën ruse, Sputnik V. /REL