Gjendet ish-shefi i Interpolit, Meng Hongwei, i raportuar i zhdukur prej 13 ditësh. Autoritetet kineze njoftuan se e kishin ndaluar në aeroportin e Hong Kongut, në kuadër të hetimeve që zyra antikorrupsion në Pekin po zhvillon ndaj tij.

Sipas komunikatës për shtyp të ministrisë për Sigurinë Publike, 65-vjeçari është nën akuzë për korrupsion por edhe për shkelje të rënda ligjore që rrezikojnë partinë komuniste dhe policinë. Megjithatë, komunikata nuk specifikoi akuza konkrete.

Interpol njoftoi se pak ditë pas zhdukjes, zyrave qendrore në Lion u kishte ardhur një deklaratë që mbante nënshkrimin e Hongweit, ku ai njoftonte dorëheqjen nga posti institucionit policor ndërkombëtar.

Honguei dha dorëheqjen edhe si zv/minister për Çështjet e Sigurisë në Kinë, post të cilin e mbante prej 2004-ës, teksa paralelisht në 2016-ën u zgjodh edhe në krye të Interpolit. Zgjedhja e tij në këtë post, sipas kritikëve i jepte mundësi Pekinit, të përndiqte në shkallë globale disidentët kinezë të arratisur jashtë vendit.

Tv Klan