Dy kanadezë, që po mbaheshin në Kinë nën akuza të spiunazhit, janë liruar dhe janë nisur drejt Kanadasë, njoftoi Kryeministri Justin Trudeau.

Ish-diplomati Michael Kovrig dhe biznesmeni Michael Spavor “janë larguar nga hapësira ajrore kineze dhe janë nisur drejt shtëpisë”, tha Kryeministri kanadez, Trudeau.

Njoftimi për lirimin e dy kanadezëve erdhi disa orë pasi kompania kineze e komunikimeve, Huawei arriti marrëveshje me prokurorët e Shteteve të Bashkuara, duke i dhënë fund një beteje ligjore dhe politike gati 3-vjeçare, ku ishte e përfshirë jo vetëm SHBA-ja e Kina, por edhe Kanadaja.

Kovrig dhe Spavor ishin arrestuar në Kinë në dhjetor të vitit 2018, pak kohë pasi shefja ekzekutive e Huaweit – njëherësh e bija e themeluesit të kësaj kompania – Meng Wanzhou u arrestua në Aeroportin Ndërkombëtar të Vankuverit mbi bazën e një urdhëarresti të lëshuar nga SHBA-ja, që kërkonte ekstradimin e saj nga Kanadaja.

Kanadaja dhe SHBA-ja e cilësuan arrestimin e dy kanadezëve si “diplomaci të pengjeve” nga Kina, teksa kjo e fundit i akuzoi këto dy shtete për komplot kundër Huwai dhe përdorimin e sanksioneve të SHBA-së për të targetuar Mengun.

Sipas marrëveshjes të arritur me prokurorët amerikan, Departamenti i Drejtësisë ka hedhur poshtë akuzat për mashtrim ndaj Meng deri në dhjetor të vitit 2022, në këmbim që ajo të pranojë përgjegjësinë për keqpërfaqësim të marrëveshjeve biznesore të kompanisë së saj në Iran.

Sipas marrëveshjes, SHBA-ja po ashtu ka tërhequr kërkesën për ekstradim, duke lejuar Mengun që të largohet nga Kanadaja. Pak kohë pas kësaj, ajo udhëtoi drejt Kinës.

Zyrtarët amerikanë e kishin akuzuar shefen e Huaweit se ka paraqitur të dhëna të rreme në bankën HSBC lidhur me marrëveshjet biznesore të kompanisë me Iranin, kur sanksionet amerikane dhe të Kombeve tëBashkuara ishin në fuqi. /REL