Mediat raportuan rrjedhje gazi nga një reaktor i Centralit Taishan

Kina tha të martën se niveli i rrezatimit radioaktiv rreth centralit bërthamor Taishan në provincën juglindore të Guangdong mbetet brenda normës. Ky njoftim i autoriteteve kineze pason raportimin e rrjetit televiziv CNN se në një nga reaktorët e centralit ka pasur rrjedhje të gazit radioaktiv.

Firma franceze EDF, një prej pronarëve centralit, tha më herët se po hetonte raportet e mediave për nivele jo normale të gazit radioaktiv dhe rrjedhje nga centrali.

CNN raportoi se Framatome, njësia e EDF-së që projektoi reaktorët e centralit Taishan, kishte paralajmëruar për “kërcënim të menjëhershëm radioaktiv”.

Zhao Lijian, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Kinës, tha në një konferencë për median se centrali ishte plotësisht funksional dhe në përputhje me të gjitha kërkesat.

“Deri më tani termocentralet bërthamore të Kinës mbajnë rekord për mirë funksionimin e tyre, pa asnjë incident që ndikon mjedisin dhe shëndetin publik”, tha Zhao.

Centrali Taishan, i përfunduar në vitin 2019, përbëhet nga dy reaktorë të projektuar nga firma franceze EDF. Ai ndodhet rreth 200 km larg kufirit të Hong Kongut. Më herët, guvernatorja e Hong Kongut Carrie Lam u tha gazetarëve se Observatori i Hong Kongut dhe Departamenti i Furnizimit me Ujë kanë monitoruar nivelet e rrezatimit dhe deri më tani ato paraqiten normale.

Klan News