Autoritetet do të përgatisin një raport brenda 30 ditëve i cili do të dorëzohet në Agjencinë e Aviacionit të OKB-së

Kina ka përfunduar punën e kërkimit në vendin ku ra avioni i kompanisë China Eastern Airlines. Autoritetet pritet që të përfundojnë një raport për ngjarjen tragjike brenda 30 ditëve.

Raporti do të bëhet publik për njerëzit dhe familjarët e viktimave sapo hetimi të përfundojë. Avioni u rrëzua në një shpat mali në Kinën jugore më 21 Mars, duke vrarë të gjithë 132 personat në bord.

Sipas rregullave ndërkombëtare, një raport 30-ditor duhet të dorëzohet në Agjencinë e Aviacionit të OKB-së, ICAO. 

Autoritetet kanë bërë analiza paraprake të përplasjes, të tilla si parashikimi i trajektores së mundshme, pozicionit dhe forcës së goditjes së aeroplanit kur ai goditi tokën dhe leximi i të dhënave nga sistemet e radarëve të kontrollit të trafikut ajror.

Hetuesit po punojnë gjithashtu për të deshifruar të dhënat nga të dyja kutitë e zeza. Sipas asaj që raporton “Reuters” grupi hetimor nga Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit të SHBA-së do të udhëtojnë në Kinë për të mbështetur hetimin për tragjedinë. Mbi 40,000 pjesë të mbeturinave të avionit janë gjetur dhe shumica e pjesëve janë transportuar në një vend të posaçëm për t’u ekzaminuar.

Siguria ajrore dhe standardet e aviacionit në Kinë janë përmirësuar shumë në dekadat e fundit pas një serie aksidentesh në vitet 1990. Aksidentet si ky janë shumë të rralla. I fundit ndodhi në Gusht të vitit 2010 që u rrëzua në veri-lindje të Yichun për shkak të motit me mjegull, duke vrarë 42 njerëz.

Klan News