Lufta e gjatë dhjetëvjeçare e Kinës kundër ndotjes së ajrit tanimë po i jep botës një mesazh negativ. Dioksidi i squfurit, një komponent kryesor i smogut krijon grimca që formojnë re në atmosferë dhe tanimë është në nivele mjaft të reduktuara. Por ky eksperiment nuk po rezulton aq efikas.

Në fund të vitit 2006, ndotja e dioksidit të squfurit (SO2) në Kinë arriti kulmin në pak më shumë se 38 milionë tonë në vit . Deri në vitin 2019, kjo ishte ulur në rreth 12 milionë tonë  më pak se një e treta. Ekspertët e klimës kanë parë nga afër nëse përpjekjet e suksesshme për të ulur emetimet e karburanteve detare që nga viti 2020 ishin përgjegjëse për rritjen e temperaturave të detit në nivele rekord këtë vit. 

Por reduktimet dramatike të dioksidit të squfurit gjatë dekadës së fundit mund të kenë pasur gjithashtu një ndikim të madh veçanërisht në Azi që sipas ekspertëve po përshpejton ndryshimet klimatike. Temperaturat mesatare të Kinës janë rritur me 0.7 gradë Celsius që nga viti 2014, duke shkaktuar valë më të nxehta, sipas një rishikimi i të dhënave meteorologjike.

Yangyang Xu: Ndotja nga dioksidi i squfurit shpërndan grimca në atmosferë. Ato reflektojnë rrezet e diellit. Kështu reduktimi i dioksidit të squfurit bën që rrezatimin diellor të arrin në sipërfaqe me një intensitet shumë të lartë. Ne në fakt po e ngrohim planetin duke përmirësuar cilësinë e ajrit. Pra, ky është kompensimi dhe pasojat.

Përmirësimi i cilësisë së ajrit mund të ketë pasur një efekt më të madh në rritjen e temperaturave në disa qytete industriale kineze gjatë dekadës së fundit sesa ngrohja nga vetë gazrat serrë, sipas shkencëtarëve.

Ekspertët shprehen gjithashtu se përpjekjet për të përmirësuar cilësinë e ajrit mund ta shtyjnë botën në skenarë katastrofikë të ngrohjes dhe ndikime të pakthyeshme. Venkatachalam Ramaswamy, Drejtor i Laboratorit Gjeofizik të Administratës Kombëtare të Oqeanit dhe Atmosferës (NOAA), shprehet se reduktimi i dioksidit të squfurit çon në më shumë rrezatim që kalon nëpër atmosferë dhe më pas shkakton rritjen e temperaturës së sipërfaqes së planetit. 

Venkatachalam Ramaswamy: Pra, reduktimi i squfurit lejon më shumë rrezatim të shkojë në sipërfaqe, gjë që e bën sipërfaqen më të ngrohtë.  Kështu ngrohja globale intesifikohet.

Kjo rritje potencialisht mund të lidhet me më shumë valë të nxehti dhe thatësira, por edhe përmbytje për shkak të rritjes së avullimit të ujit. Pjesë të tjera shumë të ndotura të botës, si India dhe Lindja e Mesme, do të shikojnë të njëjtën situatë të ngjashme nëse ndjekin shembullin e Kinës paralajmërojnë ekspertët.

Venkatachalam Ramaswamy: E dini, përmbytjet janë si rezultat i reduktimit të sulfatit? Diku tjetër mund të shkaktojë valë ekstreme të të nxehtit dhe diku tjetër thatësirë.

Këtë verë, Pekini regjistroi temperaturat më të nxehta në dekada, si dhe përmbytjet e mëdha. Në fillim të vitit, Shangai regjistroi ditën e tij më të nxehtë në maj në 100 vjet.

Asnjë studim nuk i ka atribuuar ende në mënyrë përfundimtare temperaturat në rritje në Kinë dhe gjetkë në botë efekteve të rënies së dioksidit të squfurit, por shumë shkencëtarë pajtohen se është me siguri një faktor kontribues.

Ndotja e ajrit paraqet një rrezik që sipas OBSH shkakton rreth 7 milionë vdekje të parakohshme në vit, kryesisht në vendet më të varfra.

Ekspertët theksojnë nevojën për masa më të ashpra për të ulur emetimet e gazeve serrë që ngrohin klimën, me reduktimin e metanit që shihet si një nga rrugët më premtuese për të ulur ndotjen në afat të shkurtër.

Presidenti Xi Jinping u zotua të trajtojë ndotjen kur mori pushtetin në vitin 2012. Më 5 mars 2014, një javë pasi lideri kinez doli në shëtitje ditë kur smogu ishte në nivele alarmante, qeveria vendosi masa më të ashpra për të reduktuar ndotjen gjatë Kongresit Kombëtar Popullor.

Sipas rregullave të reja, termocentralet dhe fabrikat e çelikut u detyruan të kalonin në qymyr me pak squfur. Qindra fabrika joefikase u mbyllën.   

Ndërsa më shumë se 100 vende janë zotuar të reduktojnë emetimet e metanit me 30% deri në fund të dekadës, pak prej tyre kanë shkuar  drejt shkurtimeve në shkallë të plotë. Kina mbetet emetuesi më i madh i metanit në botë.

Klan News