Pekini hakmerret vendimit të presidentit amerikan Donald Trump për tarifa të rënda importi ndaj produkteve kineze. Ministria Kineze e Tregtisë njoftoi se prej 23 Gushtit do të nisë aplikimin e tarifave të importit deri në 25% për një kategori të caktuar mallrash amerikane që arrijnë vlerën e 16 miliardë dollarëve. Në listën e produkteve amerikane të prekura nga tarifat janë qymyri, nafta, lëndët kimike dhe disa pajisje mjekësore.

Uashingtoni ka paralajmëruar se do të zgjerojë listën e produkteve nga Kina, për të cilat do të aplikohen tarifa importi, vlera e përgjithshme e të cilave do të jetë 200 miliardë dollarë. Donald Trump nënshkroi në Mars tarifat e para për importet nga Kina, të cilat u thelluan muaj pas muaji.

Tarifat u vendosën pasi Trump prishi marrëveshjet tregtare me Pekinin, por edhe vende të tjera si ato të Bashkimit Europian, Kanadasë e Meksikës, me argumentimin se ato janë të padrejta për shkak se SHBA është në defiçit tregtar prej tyre. Edhe Pekini nuk qëndroi pas me kundërmasat. Por pavarësisht tarifave, sufiçiti tregtar i Kinës ndaj Shteteve të Bashkuara ishte 11% më i lartë në qershor krahasuar me 1 vit më parë.

Tv Klan