Sot janë çmontuar dhe shkatërruar kioskat prapa Ministrisë së Mbrojtjes. Midis morisë së kioskave iu ka ardhur radha dhe kioskave të librit. Por kjo është kundërshtuar nga shkrimtarë dhe personalitete të njohura. Shkrimtari i njohur Teodor Keko propozon disa zgjidhje për kioskat e librit. Botuesit e librave kanë kërkuar që kioskat e librit të mos shkatërrohen derisa të gjenden mjedise të tjera të përshtatshme.

“Të arrish të prishësh sot kioskat librari do të thotë që ta prishësh komplet edhe këtë treg shumë fraxhile, shumë të thyeshëm të shpërndarjes së librit. Dhe do të thotë që jo vetëm t’i bësh një dëm shumë të madh kulturës në përgjithësi, por do të thotë që edhe shkrimtarët, edhe përkthyesit, dhe botuesit shqiptarë t’i vesh në vështirësi të jashtëzakonshme. Një nga ato vende që do t’i propozoja unë Bashkisë së Tiranës edhe Qeverisë Shqiptare, do të ishte që t’i jepnin atë pjesën pas Skënderbeut, lulishten poshtë, e cila me shumë pak shpenzime po të mbulohej nga sipër me materiale gjysëm fabrikate të cilat mund të prisheshin fare lehtë një ditë tjetër, mund të kthehej në një shoping biznesi kulturor ku të kishte vetëm dyqane që të shisnin mallra kulturore.” – u shpreh Keko./tvklan.al

Gazetar : Altin Hazizaj