“Muzika është si një fushë me lule, por ka shumë gjemba aty”

Ajo është një nga këngëtaret më të njohura, jo vetëm për publikun maqedonas, por për të gjitha trevat shqiptare, ndërsa ai është një kompozitor i njohur. Bëhet fjalë pikërisht për çiftin e muzikantëve, këngëtaren Leonora Poloska dhe kompozitorin Andin Randobrava.

Leonora rikthehet për publikun pas 7 viteve mungesë, me një këngë të re të cilën ja ka kompozuar pikërisht bashkëshorti i saj.  Të ftuar në programin “Rudina”, Leonora dhe bashkëshorti i saj kanë rrëfyer më shumë, mbi projektin e publikuar, historinë e tyre të dashurisë, por edhe ardhjen në jetë të vajzës së tyre Andora, e cila është bërë dy vjeç.

Leonora ka qëndruar larg syrit të mediave dhe kjo për një arsye personale.

Të them të drejtën ishte një arsye e imja. Unë vetë u shkëputa, për shkak se për mua estrada, ose marrja me muzikë është si një fushë me lule, por me lule trëndafila, pra ka shumë gjemba aty. Prandaj kisha nevoja ta dua veten pikë së pari, të merrem me veten sepse duke dhënë gjithmonë për të tjerët e humbet veten dhe në një farë mënyre absorbohesh, domethënë nuk ke më çfarë të japësh. Kisha nevojë për një ushqim shpirtëror, për një qetësi, për një shkëputje totale nga estrada dhe gjithçka që i përket estradës. Desha të bëhem një grua e devotshme, po ashtu edhe një nënë, pasi e kam një vajzë dy vjeçe. Plotësisht të jem një njeri i thjeshtë, njeri që s’ka të bëj me artin, me famën”.

Së fundmi, Leonora ka publikuar në 23 Tetor, këngën e saj më të re me titull “S’ishte fat”. Deri më tani, kënga ka marrë 72 mijë klikime në kanalin zyrtar YouTube. Produksioni është i zhanerit baladë, tipike e stilit të Leonorës dhe i dedikohet dashurisë së humbur. Muzika është punuar nga bashkëshorti i saj, kompozitori i njohur Andin Randobrava.

Ishte një këngë që e kishte punuar Andini. Unë isha në Shkup tek mami dhe ai më thotë: Kam bërë një këngë për ty, s’mund të ma refuzosh. I thashë: Ja ta dëgjoj njëherë. E dëgjova më pëlqeu në fakt. Thashë: Ok! S’po ta prish qejfin, jam e përgatitur, s’ka problem. Kishim dëshirë ta bënim këngën me një klip shumë të thjeshtë, një klip i butë”.

Leonora Poloska është martuar në Tetor 2017, me kompozitorin Andin Randobrava, që është një kompozitor mjaft i njohur.  

Unë isha shumë e thjeshtë dhe modeste në bisedë, ky ka dashur ta dijë kush është Leonora Poloska, mbas mbiemrit, domethënë njeriu i vërtetë. Ky më provokon, por unë vazhdoj dhe tregoj modestinë dhe atë anën njerëzore dhe aty i kisha pëlqyer shumë. Pas dy muajsh më tha: A fejohemi? Pas 6, 7 muajve martesa...”, tregon Poloska. Ceremonia e tyre e martesës ka qenë e vogël, ku të ftuar ka qenë familjarët dhe miqtë e tyre më të afërt./tvklan.al