Policia e Tiranës ka arrestuar 2 persona, pasi këta të fundit në bashkëpunim me njëri-tjetrin akuzohen se kanë kryer aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit dhe trafikonin drogë.

Policia ka bërë arrestimin në flagrancë të E. M., 26 vjeç dhe M. Gj., 22 vjeç, të dy banues në Tiranë, pasi “bazuar në informacionet e marra se në një bar-bilardo kryhej aktiviteti i kundërligjshëm kriminal në fushën e shitjes së lëndëve narkotike dhe organizimi i lojërave të palejuara”.

Në një njoftim për mediat, blutë e Tiranë bëjnë me dije se gjatë “kontrollit të bar-bilardos në pronësi të E. M. u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 37 gramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë, një sasi lënde e dyshuar kanabis, një valixhe metalike me fisha (çipsa), 2 aparate celular dhe disa qese plastike që shërbenin për ambalazhimin e lëndëve narkotike”.

Më tej bëhet me dije se është proceduar në gjendje të lirë edhe F. C., 20 vjeç, pasi u kap me një sasi të vogël lënde narkotike kanabis, të cilën e kishte blerë tek një person tjetër që ishte i pranishëm në bilardo./tvklan.al