Një çift bashkëshortësh, Klejdian Zeqo dhe Anita Zeqo (Dimitrova), kanë rënë në prangat e policisë, pasi kishin kthyer banesën e tyre në laborator droge. Kanë qenë banorët afër shtëpisë së tyre që kanë denoncuar këtë ngjarje e më pas ka ardhur ndërhyrja e uniformave blu.

“Në bazë të informacioneve të siguruara nga qytetarët, pas një pune hetimore disa javore, finalizuan operacionin antikanabis të koduar ”Vila”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit: K. Z., 34 vjeç dhe A. Z.(D.), 31 vjeçe, banues në Vorë (bashkëshortë)”, sqaron policia.

Më tej bëhet me dije se gjatë kontrollit të banesës u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 3.6 kg lëndë e dyshuar kanabis, 9 fidanë të dyshuar kanabis të kultivuar, pajisje që kanë shërbyer për kultivimin e bimëve narkotike, fara kanabisi dhe sende të tjera të kundërligjshme. 

Tashmë ata do të hetohen nga Prokuroria e Tiranës për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e  narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim./tvklan.al