Kishin lindur në të njëjtën ditë, më 18 Nëntor. Por Giuseppe ishte i datëlindjes së 1995-s, ndërsa Juendi i 1998-s. Fati deshi që të humbin jetën gjithashtu në të njëjtin moment: rreth orës 18:40, të dielën e 10 Marsit.

Përplasja e ndodhur në rrugën Adriatica në Pesaro të Italisë ishte fatale për dy shokët, 20-vjeçarin Juendi Xhani, me origjinë nga Durrësi dhe 23-vjeçarin italian Giuseppe Troisi.

Rreth dy ditë pas ngjarjes tragjike që tronditi mbarë komunitetin ku ata jetonin, mediat italiane kanë përcjellë detaje të reja për dy të rinjtë, të cilët udhëtonin me një Audi A4, kur u përplasën me një makinë tjetër.

Bashkë me ta, në automjet ishin edhe dy vajza, 22 dhe 19 vjeçe, të cilat mësohet se vijojnë të jenë në gjendje të rëndë në spital.

“Janë gjallë rastësisht”

, shkruajnë mediat fqinje.

Fatmirësisht dy binjakët 8-vjeçarë dhe familjari i tyre 71-vjeçar, që ndodheshin në makinën tjetër janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Sa i përket viktimave të këtij aksidenti tragjik, ata mësohet se të dy ishin të ulur në sediljen e djathtë të Audit. Giuseppe në timon, ndërsa Juendi në sediljen e pasme, po në të djathtë. Mbetet e paqartë nëse kishin të vendosur rripat e sigurimit, por përplasja ishte kaq e fortë sa ata mbetën të bllokuar brenda në makinë. U desh ndërhyrja e zjarrfikëses për të nxjerrë trupat e tyre të pajetë.

Vajzat që ndodheshin në automjet, të dyja nga Pesaro, u dërguan me urgjencë në spital dhe në pak minuta ishin në reanimacion. Gjendja e tyre konsiderohet kritike, megjithatë mjekët kanë besim se do të mund të jetojnë. Ato ndodhen aktualisht në koma farmakologjike.

Mediat italiane përshkruajnë gjithashtu edhe momentin kur në vendin ku ndodhi aksidenti shkuan shërbimet e emergjencës.

Në karrexhatën me katër korsi, ata gjetën një skenë lufte… Trupat e pajetë të dy djemve, vajzat në gjendje të rëndë dhe familjen në automjetin tjetër në gjendje shoku. Puna e zjarrfikësve ishte komplekse, pasi atyre iu desh që ta prisnin tërësisht Audin, për të nxjerrë trupat.

Në pak minuta, në vendngjarje nisën të vraponin miq e të njohur të të rinjve, të cilët u përballën me një skenë të tmerrshme. Copat e automjetit ishin shpërndarë në një rreze prej rreth 50 metrash.

Momentet ishin edhe më të rënda e dëshpëruese mbi të gjitha kur rreth gjysmë ore më vonë erdhën familjarët e dy të rinjve, që i gjetën ata të pajetë, të mbuluar me çarçafë të bardhë.

Tanimë pritet që agjentët e policisë lokale të përcaktojnë sesi ndodhi ekzaktësisht tragjedia e së dielës. Paraprakisht dyshohet se ajo erdhi nga parakalimin me shpejtësi i një furgoni Ford Transit, drejtuesi i së cilit ishte dëshmitar.

//tvklan.al