72 pushues të një hoteli në Alanja të Turqisë janë dërguar në spitalet e zonës pas shqetësimeve të ndryshme që besohet se janë shkaktuar nga helmimi.

Agjencia turke e lajmeve “DHA” raporton se disa prej pushuesve të hotelit, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, janë dërguar në spital pasdreken e së mërkurës pasi patën të vjella dhe gjendje të fikëti.

Afër mbrëmjes, shqetësime të ngjashme përjetuan edhe ata që kishin mbetur në hotel. Pasi disa fëmijë nisën të villnin në korridor, familjarët të alarmuar njoftuan shërbimet shëndetësore.

Në dyert e hotelit mbërritën 25 ambulanca. Së bashku me personat e tjerë që shkuan me mjete të tjera në spitalet e zonës, mësohet se numri i personave që u paraqitën për ndihmë mjekësore arriti në 72.

“DHA” citon njërin prej pushuesve, Hasan Ates, tek fajëson higjienën në hotel për të gjithë ngjarjen. “Problemi më i madh ishte pastërtia. Nuk kishte pastrim. Ata që shërbenin në mensë kishin mangësi në pastërti. Nuk ishte higjienike. Nga ushqimet merrja vetëm sallata. Edhe unë kam ndjerë shqetësime 3 ditë më parë. Probleme kishte edhe në përdorimin e pishinës”, ankohej Ates.

Alanja, së bashku me Antalian, Kemerin dhe Bodrumin, është ndër destinacionet më të preferuara turistike të verës në Turqi. /tvklan.al