Fatjon Dervishi, 37 vjeç, humbi jetën pasi u ekzekutua pak pas mesnatës nga persona të paidentifikuar. Ngjarja ndodhi në fshatin Katund të Sukthit.  

Gazetarja e Klan News, Enkeleda Arapi raportoi se në vendin e ngjarjes vijojnë të jenë ekspertë kriminalë dhe forcat e FNSH të cilët po krehin zonën për të identifikuar dhe ndaluar personat që mund të kenë marrë pjesë në atentat.

Nga të dhënat e para dyshohen që kanë qenë 2 persona që kanë marrë pjesë në krim. Njëri në rolin e qitësit ndërsa tjetri ka ndihmuar në largimin nga vendi i krimit.


“Ngjarja ka ndodhur në shinat e trenit në vendin ku jam pozicionuar. Është një rrugë e dëmtuar dhe që bën që çdo automjet që kalon këtu të ulë shpejtësinë dhe nga ana e atentatorëve është parë si vendi ideal për të qëlluar drejt automjetit”, raportoi gazetarja.

Mendohet që autorët pas kësaj kanë marrë një rrugë dytësore për t’u larguar, pasi është një zonë që nuk mbulohet mirë nga ndriçimi. Në vendin e ngjarjes nga ana e efektivëve thuhet se janë mbledhur të gjitha gëzhojat. Ata po punojnë për mbledhjen e kamerave të sigurisë për t’i analizuar.

“Hidhen dyshime që autorët mund të jenë larguar në këmbë. Në pjesën e shinave të hekurudhës është një zonë që po ndërtohet. Dyshimet janë që kanë kaluar në këmbë dhe më pas kanë marrë një automjet”, raportoi gazetarja.


Autorët kanë qëlluar mbi mjetin e Dervishit të 15 plumba. Momentin e krimit, viktima ka qenë së bashku me një mikun e tij në makinë, i cili ka shpëtuar i palënduar. Ai ka dëshmuar se ndaj tyre është qëlluar sapo kanë dalë nga një lokal (Lexo më shumë).

Policia shoqëroi të paktën 15 persona me precedentë të mëparshëm penalë.

“Mes tyre nuk kanë mundur të gjejnë autorin, por dëshmia e tyre sipas policisë është e vlefshme për të zbuluar”, raportoi Arapi.

Viktima kishte pak kohë që ishte kthyer në banesën e tij në Katund Sukth pasi jetonte jashtë shteti së bashku me familjen e tij.


Ai ishte babai i dy fëmijëve. Në zonën ku u vra jeton vetëm i ati dhe siç raportoi gazetarja Enkeleda Arapi, viktima kishte ardhur për të ndërtuar një restorant në pjesën e përparme të shtëpisë.  

Banorët thanë se ishte një person që nuk krijonte problematika në zonë. Dervishi mori 2 plumba në organet jetësore (Lexo më shumë).

Hoteli ku ndodhi plagosja e 24-vjeçares nga Fatbardh Dervishi

U ekzekutua në Durrës, vëllai i Fatjon Dervishit plagosi para 1 viti të dashurën

Fatjon Dervishi i cili u ekzekutua në një atentat në Sukth, rezulton që të jetë vëllai i Fatbardh Dervishit (Dodës). Ky i fundit nuk është emër i padëgjuar për policinë shqiptare.

Më 3 Janar të vitit të kaluar, Fatbardhi, 33 vjeç, plagosi me armë zjarri të dashurën e tij Edis Koroveshin, 24 vjeçe. Ngjarja ndodhi në një hotel në autostradën Tiranë-Durrës.

Dy të rinjtë ishin të dashur. Ata kanë qenë në hotel së bashku, por Dervishit në gjendje të dehur i është shkrepur aksidentalisht pistoleta dhe u plagos në shpatull.

(Pamjet nga hoteli ku ndodhi plagosja e një viti më parë)


I riu u largua menjëherë nga vendi i ngjarjes duke u shpallur në kërkim ndërsa stafi i hotelit njoftoi policinë për ngjarjen. Deri më tani nuk dihet nëse vrasja e sotme ka lidhje me këtë ngjarje.

Fatbardh Dervishi u arrestua më pas në Spanjë. Sipas autoriteteve iberike, përveçse e konsiderojnë shumë të rrezikshëm, ai është drejtuesi i një grupi kriminal që maskohej me uniforma policie dhe kryente grabitje të shtëpive që shërbenin si magazina droge.

Ai u arrestua nën akuzën e vjedhjes së automjeteve, falsifikim dokumentesh, armëmbajtje pa leje, trafik droge, grup kriminal. 

Ajo që dihet është se në Shqipëri, vëllai i tij që u vra sot 37-vjeçari Fatjon Dervishi rezulton i pastër sa i përket precedentëve penalë. Ai ishte kthyer nga jashtë shtetit, ku jeton me familjen, për të ndërtuar një restorant në shtëpinë e tij./tvklan.al