Nënën, gruan dhe vajzën i monitoronte me kamera

Kjo pajisje e zezë, e vendosur në derën e një apartamentit në katin e tretë të një pallati në Selitë të Vjetër në Tiranë, për 3 gratë e familjes nuk hapte derën e banesës, por të një burgu.

Prej disa kohësh, burri i familjes, 35-vjeçari me iniciale J. Zh. mbante të izoluara gruan, vajzën dhe nënën tij.

Hyrja e pallatit dhe fasada jashtme, ishin të monitoruara nga kamerat e sigurisë dhe gjithashtu edhe banesa brenda. Sipas policisë, ai i vëzhgonte ato nëpërmjet telefonit kur ishte jashtë shtëpisë. Për familjarët kishte vendosur bllokues valësh të telefonit.

Hetuesve, J. Zh., u tha se ai i mbante 3 gratë  brenda për t’i ruajtur, duke pretenduar se gruan e tij e kërcënonin persona të panjohur për të.

Ai shtoi para policisë se dëgjonte zëra që flisnin me bashkëshorten, si dhe gjatë natës, pasi fikte dritat, bënte roje me elektrik dore për të gjetur kërcënuesit.

Por teksa e gjithë ngjarja flet për një gjendje të rënduar të shëndetit mendor të të riut me profesion ekonomist, kjo do të mbetet në dorën e hetuesve që kanë kërkuar një akt ekspertizë për të.

J. Zh. u arrestua nga Policia dhe do të përballet me drejtësinë, pasi sjellja e tij shkaktonte ankthi dhe gjendje të rënduar emocionale te 3 gratë.

Tv Klan