Një i ri shqiptar është dënuar nga drejtësia britanike pasi u kap në një fabrikë ku kultivonte drogë, vlera e të cilës në treg shkonte deri në 100.000 Paund.

Xh. Dragjoshi, 26 vjeç, u arrestua më 26 Maj në ditën e lindjes së tij në Gabalfa të Cardiff. I riu po punonte në një shtëpi ku autoritetet gjetën 83 rrënjë kanabisi si dhe 142 filiza të lëndës narkotike.

Në momentin e arrestimit, 26-vjeçarit i gjetën disa letra ku dokumetohej rritja e lëndës narkotike si dhe 305 Paund në total.

Ai i tregoi autoriteteve se kishte mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar nga Shqipëria në mënyrë të paligjshme rreth 5 vite më parë.

Shumicën e kohës kishte jetuar në Londër, por prej 1 viti kishte lëvizur në Cardiff. Ofertën për të punuar në rritjen e kanabisit ia kishin bërë dy shqiptarë.

Dragjoshi duhej të merrte nga shitja e kanabisit 15% të fitimit pas korrjes. Deri më tani ai tregoi se kishte fituar 11.000 Paund.

“Ishte shumë e mirë për t’u refuzuar”. Kështu iu është përgjigjur ai hetuesve kur e kanë pyetur pse e nisi këtë punë.

Dragjoshi u dënua me 3 vjet e katër muaj burg dhe do të deportohet në Shqipëri pas përfundimit të dënimit./tvklan.al