Shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me strukturat e Sektorit për Hetimin e Krimeve në DVP Korçë dhe Komisariatin e Policisë Pogradec, në vijim të operacionit të koduar “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit E. Sh., 35 vjeç, banues në Pogradec.

Shërbimet e Policisë Kufitare, kanë konstatuar në aksin rrugor Pogradec-Qafë Thanë, shtetasin e mësipërm duke transportuar me mjetin tip furgon të markës “Benz”, emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit iu kishte premtuar kalimin e tyre drejt vendeve të BE-së.

Gjatë shoqërimit për në Komisariatin e Policisë, emigrantët e paligjshëm duke dashur të dilnin nga furgoni kanë hapur derën e tij me forcë dhe kanë mundur të largohen duke u shpërndarë nëpër qytet.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, menjëherë u angazhuan për gjetjen e tyre, ku 21 emigrantë të paligjshëm aktualisht ndodhen në ambientet e Komisariatit për procedurat e mëtejshme.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në bashkëpunim./tvklan.al