Një 30-vjeçar shqiptar humbi jetën mbrëmjen e shkuar pasi ra nga kati i dytë i një shtëpie në Santhia, në Provincën e Vercelli-t të Italisë. Sipas mediave fqinje, shqiptari, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, kishte hyrë për të grabitur një banesë së bashku me një tjetër person.

Por të frikësuar nga zhurmat që vinin nga shtëpia, që duhet të ishte bosh pasi të zotët ndodheshin me pushime, fqinjët njoftuan karabinierët.

Sapo dëgjuan sirenat, dy grabitësit tentuan të arratiseshin. Një prej tyre ia doli, ndërsa 30-vjeçari shqiptar ra nga rreth 9 metra lartësi, pasi kangjellat ku ishte varur, nuk mbajtën.

Nga rënia, shqiptari mësohet se mori dëmtime të rënda në kokë. Ai humbi jetën gjatë kohës që transportohej me helikopter drejt spitalit./tvklan.al