Më 4 Mars pritet të inaugurohet Baza Ajrore e Kuçovës, në një ceremoni ku do të marrin pjesë përfaqësues të lartë të shtetit shqiptar, të NATO-s dhe SHBA.

Ditën e sotme gazetari i Klan News, Maksi Rama ndodhet pranë ambienteve të kësaj baze ajrore ku jep më shumë detaje rreth përgatitjeve. Gazetari shprehet se trupat e NATO-s do të akomodohen dhe do të stërviten nga kjo bazë e Kuçovës, ku kjo do të jetë një bazë kryesore që do të ketë një impakt të rëndësishëm për sigurinë. Është zgjedhur Kuçova për shkak edhe të terrenit pasi kjo bazë ajrore është një fushë e madhe dhe nuk ka probleme sa i përket mjegullës e erës dhe kjo ka qenë një ndër arsyet përse është përzgjedhur.

Sipas asaj që raporton gazetari gjatë komunikimeve që ka pasur me banorët e zonës ata shprehen pozitivë, pasi do të ketë edhe një zhvillim ekonomik të kësaj zone. Kjo bazë pritet t’i japë një tjetër frymëmarrje edhe jetës dhe ekonomisë së asaj zone.   

Ndërkohë për modernizimin e kësaj baze ajrore nga NATO janë investuar afërsisht 50 milionë Euro ndërsa 5 milionë Euro janë investuar nga qeveria shqiptare.

Ka qenë vendimmarrja e shtetit shqiptar dhe e NATO-s në vitin 2018 për ta kthyer këtë bazë në një bazë taktike të Aleancës. Kuçova do të shërbejë si bazë mbështetëse për NATO-n duke ofruar transport ajror, mbështetje logjistike, policimin ajror si dhe trajnime dhe stërvitje. Kjo bazë do t’i shërbejë pozitivisht edhe në zhvillimin ekonomik të të gjithë qarkut të Beratit.

Baza ajrore e Kuçovës e vendosur rreth 70 km në jug të Tiranës u ndërtua me punë vullnetare në vitin 1952 qe t’i shërbente Traktatit të Varshaves ku Shqipëria asokohe ishte shtet anëtar./tvklan.al