Këto janë pamjet kur automjeti në të cilin dyshohet se ndodheshin dy persona, u afrua 50 minuta pas mesnatës pranë vendit ku po lëvizte 29-vjeçari Ermir Dedja, në lagjen nr.18 në Durrës.  

Duke lëvizur kundra vajtje, sapo pikasën shënjestrën, qëlluan në drejtim të tij.

Siç duket nga video e siguruar nga Klan News, menjëherë dy kalimtarë në dy anët e trotuarit tentojnë t’u shpëtojnë plumbave.

Njëri prej tyre i kërkon tjetrit të shkojë nga ana e tij për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.

Burime të Klan Neës thonë se agresorët kanë shtënë 5 herë në drejtim të 29-vjeçarit Ermir Dedja, i cili shfaqet në këtë foto. Vetëm 1 plumb mësohet se e ka kapur çka rezultoi fatal për të.

“Pasi kishte parkuar makinën pak metra më tutje, 29-vjeçari i cili mbeti viktimë e atentatit po lëvizte i vetëm në këtë trotuar për tu takuar më tutje me shokët e tij por persona të paidentifikuar qëlluan me breshëri automatike e për pasojë gjeti vdekjen në spitalin e Durrësit”, raporton gazetarja Enkeleda Arapi.

Ermir Dedja u qëllua sapo parkoi makinën e tij tip BMV. Katër prej plumbave kanë përfunduar në xhamin e një biznesi në vendin e ngjarjes.

Ekzekutorët u larguan menjëherë drejt fshatit Gërdec, aty ku i vunë flakën makinës.

“Kjo është gjithçka ka mbetur nga automjeti tip Seat që përdoren autorët në vrasjen e Ermir Dedjes. Makina është dërguar për ekzaminim së bashku me kallashnikovin që u gjet i djegur në brendësi të tij, që dyshohet se u përdor në vrasjen e 29 vjeçarit”, raporton gazetari Merin Maçi.

Ishte një qytetar i cili njoftoi policia e Vorës rreth orës 6 të mëngjesi të së martës për makinën e djegur. Rezultojnë se targat janë të vjedhura pak kohë më parë në Tiranë ndërsa po verifikohet edhe numri i shasisë së mjetit.

Emri i Ermir Dedjas nuk është i panjohur për policinë. 10 vjet më parë, në 2015, u arrestua si i dyshuar për shitjen e një sasie lende narkotike dy shtetasve nga Hasi, që do e trafikonin në Kosovë. Dy vite më pas, në 2017, është ndaluar për përkrahje të autorit të një plagosjeje dhe mbajtjen pa leje të një thike që iu gjet gjatë kontrollit fizik.

Për vrasjen e Ermir Dedja, hetimet janë në vijim dhe aktualisht po shqyrtohen disa pista të mundshme.

Klan News