Klan News ka siguruar videon e atentatit të ndodhur pak pas mesnate në lagjen nr.18 në Durrës. Në pamje, shihet një makinë e bardhë tip “Seat” që afrohet me qetësi, nga e cila dyshohet se kanë qëlluar me armë zjarri dy autorët.

Në videon ekskluzive, dëgjohen të shtënat, ndërsa dy qytetarë vrapojnë të tmerruar.

“Ku je? Hajde këtej nga unë, hajde këtej!”, dëgjohet teksa bërtet njëri prej tyre.

Nga breshëria e të shtënave, mësohet se dy plumba kanë prekur viktimën, 29 vjeçarin Ermir Dedja. Prej plagëve të rënda, ai ka ndërruar jetë rrugës për në spital.

Viktima, 29 vjeçari Ermir Dedja

Ndërkohë, makina e autorëve ende të paidentifikuar, është gjetur sot e shkrumbuar totalisht në fshatin Gërdec. Brenda saj, është gjetur edhe arma e krimit, tip kallashnikov.

Po kush është Ermir Dedja?

Viktima rezulton person me precedent të mëparshëm kriminalë në fushën e narkotikëve dhe për moskallëzim krimi. Në zonë, njihej si problematik dhe jo i shoqërueshëm.

10 vjet më parë, në 2015-ën, Dedja është vënë në pranga për shitjen e një sasie lënde narkotike tek dy shtetas nga Hasi, që do e trafikonin në Kosovë. Është arrestuar po ashtu në 2017-ën si bashkëpunëtor në një plagosje në Shijak, që asokohe raportohet se ndodhi pas një konflikti çasti për motive të dobëta.

Paraprakisht ka dy pista kryesore lidhur me atentatin, vrasje për hakmarrje ose përfshirja në trafikimin e lëndëve narkotike. Me gjithçka dihet deri më tani, Prokuroria e Durrësit ka dyshime se ngjarja ka qenë e planifikuar.

/tvklan.al