Plagosja e 45-vjeçarit Lorenc Kosta të hënën në zonën e Komunës së Parisit ndodhi në më pak se 1 minutë. Erjon Goxhara, i cili shfaqet në këtë video të siguruar nga Klan News, i veshur me bluzë të kuqe, i afrohet Kostës që ishte duke ecur në trotuar dhe e qëllon nga këmbët.

Lorenc Kosta, i shtyn pistoletën fillimisht dhe pasi u qëllua me plumbin e parë tentoi të largohet, por u rrëzua në trotuar. Edhe pse 45-vjeçari ndodhej i shtrirë, polici vijoi ta qëllojë edhe me 5 plumba të tjerë dhe e fotografoi me celularin e tij.

Pas kësaj, ai u largua me automjet drejt banesës së tij. Pasi mori një çantë me rroba, u arratis drejt zonës së Dajtit. Pavarësisht kërkimeve policia ende nuk ka rënë në gjurmët e tij. Për qytetarët që japin informacione për vendndodhjen, policia ka vënë në dispozicion shpërblim prej 10 mijë euro.

Dyshohet se shkaku i konfliktit ka qenë dyshimet e policit se bashkëshortja e tradhëtonte me Lorenc Kostën, kolegun e saj.

Policia e Tiranës bën me dije se Goxhara akuzohet për vrasje me paramendim e mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.

I plagosuri i është nënshtruar dy ndërhyrjeve kirurgjikale në spitalin e traumës dhe ndodhet në reaminacion në gjendje të stabilizuar.

Klan News