E drejta për arsimim vlerësohet si një e drejtë për cdo individ. Por prindërit e fëmijëve të klasës së dytë dhe të katërt të shkollës “Gjokaj” në Vorë, kanë ngritur shqetësimin e mungesës së mësueses për fëmijët e tyre.

Ata për emisionin “Stop” në TV Klan thanë se mësuesja e fëmijëve të tyre mori lejen e lindjes para 4 muajve dhe që prej asaj kohe, fëmijët nuk ka kush t’i mësojë. Gjatë kësaj kohe kanë ardhur dhe dy mësuese të tjera, por nuk kanë qëndruar gjatë, pasi kanë gjetur vend tjetër pune. Aktualisht fëmijëve u jep mësim edukatorja.

Prindi: Kam dy fëmijë në klasën e katërt dhe të dytë, në shkollën 8-vjeçare “Gjokaj” dhe kemi 5-6 muaj që mësuesja është larguar dhe nxënësit janë pa mësues.

Gazetarja: Mësuesja pse është larguar?

Prindi: Për leje lindje!

Gazetarja: Këto 4-5 muaj fëmijët çfarë bëjnë, shkojnë në shkollë apo rrinë në shtëpi?

Prindi: Shkojnë në shkollë dhe rrinë kot atje tek shkolla, i mëson edukatorja e kopshtit.

Gazetarja: Ju keni shkuar të akoheni diku për këtë problem?

Prindi: Patjetër tek drejtori i shkollës, na ka thënë, me pak fjalë po na mban me gënjeshtra sepse thonë do vij sot, do vij nesër. Ne kemi marrë informacion se zysha e fëmijëve do vij në 5 Qershor. Deri në 5 Qershor fëmijët do rrinë pa mësues, se vijnë mësueset 3-4 ditë dhe ikin nuk rrinë dot aty. Ne thjesht bëjmë ankesën për fëmijët tanë, që të mësojnë diçka, jo të vijnë tek shtëpia, s’na ka dhënë zysha detyra. A ke zyshë, jo, kam edukatore. Kërkojmë të vijë një mësues derisa të vijë mësuesja që u jep mësim fëmijëve.

Në Drejtorinë e shkollës dhe Zyrën Arsimore askush nuk jep shpjegim, se çfarë do të ndodhë.

Drejtori: Unë sapo kam ardhur, kam gjetur dy klasa kolektive. Është klasa e tretë bashkë me të pestën dhe klasa e dytë dhe e katërt. Klasa e tretë dhe e pestë e kanë mësuesen, është në rregull. Ndërsa klasa e dytë dhe e katërt, mësuesja është me leje pas lindjes.

Gazetarja: Po! E drejta e fëmijëve për të patur një mësuese gjatë gjithë kësaj kohe?

Drejtori: E drejta e fëmijëve, për të patur një mësues, sigurisht që është. Është hapur portali në momentin, që mësuesja ka marrë lejen pas lindjes, edhe lejen para lindjes, është hapur portali dhe ka qenë një mësuese zëvendësuese deri nga Janari. Deri në datën 7 Janar, ka patur një mësuese zëvendësuese. Kjo mësuese, i ka dalë sërish portali dhe kësaj mësueseje dhe kjo ka shkuar në shkollën e Vorës. Unë kam ardhur në datën 15, po atë datë, në të cilën është larguar zysha. Kam bërë kërkesë. Shkova poshtë, pashë klasën bosh, bosh në kuptimin, që nuk ishte mësuesja e vet, se fatmirësisht kemi kolektiv shumë të mirë, edhe rri edukatorja. Edukatorja zhvillon mësim, e bën mësimin tamam.

Gazetarja: Edukatorja nuk punon tek kopshti?

Drejtori: Punon te kopshti, po jemi detyruar, që të bashkojmë dy grupet e kopshtit, t’i bashkojmë me një edukatore bashkë, se janë dy edukatore. Jemi detyruar ta bëjmë këtë gjë, në mënyrë, që mos të lëmë klasën pa mësim. Nuk vjen askush, për arsye se është një pozicion pune për tre muaj.

Në Zyrën Arsimore-në e Vorës thuhet se janë në dijeni të problemit dhe kanë ezauruar listën e mësuesve të portalit dhe pas kësaj i janë drejtuar me shkresë DRAP.

Punonjësi: Jam në dijeni të rastit. Kemi bërë pas ezaurimit të portalit…

Gazetarja: Sa kohë ka ky problem?

Punonjësi: Pasi ka qenë një mësuese aty, që ka shkuar provizore dhe pasi mësuesja ka qenë provizore, është larguar për një shkollë tjetër.

Gazetarja: Sa kohë qëndroi kjo mësuese?

Punonjësi: Mos gabofsha pak, nuk ka ndenjur shumë, se pas portalit ka të drejtë të lëvizi në çdo shkollë tjetër. Mbasi kemi bërë ezaurimin e portalit, kemi dërguar dhe me email në DRAP, për vendin, që është provizor sepse unë nuk mund ta marr jashtë portalit, në qoftë se unë ezauroj gjithë listën. Pasi kam ezauruar listën, i kam çuar edhe email DRAP-it. Deri nesër në orën 1, në qoftë se nuk vjen një mësues nga portali, atëherë do mundohemi të shohim mundësi të tjera.

Gazetarja: Ju sot e keni dërguar?

Punonjësi: Jo e kemi dërguar më përpara në DRAP. Kur bëjmë lajmërimet ne, mësuesja ka të drejtë 24 orë që të presë.

Gazetarja: Tani për momentin, nuk ka asnjë nga portali, që të vijë për atë shkollë?

Punonjësi: Tek portali jonë, jo. Vijnë nga zyra të tjera vendore arsimore tani.

Gazetarja: Po sa efektiv është ky portali, që i merr mësueset për vendet provizore flas?

Punonjësi: Tani nuk më takon mua të flas për këtë punë.

Ditën tjetër, gazetarja e “Stop”, u rikthye sërish në Zyrën Arsimore të Vorës dhe mori lajmin, se mësuesja e re ka firmosur kontratën dhe fëmijët e klasës së dytë dhe të katërt të shkollës Gjokaj, nuk do të bëjnë më mësim me edukatoren.

Drejtori i shkollës: Është kryer. Mësuesja është mundësuar. Sot ka ardhur është prezantuar me klasën dhe është cdo gjë okay.

Gazetarja: Nga u mundësua? Nga u mundësua? Nga portali?

Punonjësi: Çfarë kisha për të thënë, t’i thashë. Të lutem tani intervistë nuk mund të bëj unë!

Gazetarja: Mirë pra! Nga portali apo nga Drejtoria arsimore?

Punonjësi: Ju ishit të interesuar që të kishte mësues. Thashë që nuk është lënë për neglizhencën tonë. Normalisht tani ka mësues shkolla./tvklan.al