Tirana dhe Vllaznia në nevojë për fitore

Mirsad Jonuz nuk do të jetë në pankinën e Vllaznisë në klasiken kundër Tiranës, pasi është ndëshkuar nga Komisioni i Disiplinës me dy ndeshje. Maqedonasi duket se e ka marrë mesazhin e FSHF.

“Do të jemi të përqendruar tek ndeshjet dhe nuk do të komentojmë vendimet e federatës dhe të arbitrave”

Trajneri i shkodranëve shpreh keqardhjen që ndeshja do të luhet pa tifozë, por ka besim se ekipi i tij do ta kalojë me sukses këtë sfidë.

“Dy klube historike, mëkat që luhet pa tifozë. E njohim mirë Tiranën. Kanë ndryshuar trajner që ka ndryshuar edhe lojën. Ne kemi një krizë rezultati dhe psikologjike. Kemi biseduar me lojtarët dhe duhet të jemi të përqendruar. Përballja me Tiranën është sfidë shumë e madhe për lojtarët. Por ata do të jenë të gatshëm për këtë ndeshje. Rezultati do të vijë vetë”.

Nga ana tjetër Julian Ahmataj e ka përgatitur skuadrën për një përballje të fortë.

“Vllaznia në ndeshjet jashtë është e fortë dhe ka marrë rezultate pozitive ndaj çdo kundërshtari. Ne nuk heqim dorë nga loja jonë. E dimë që Tirana do futet vetëm për fitore këtë ndeshje. Kjo nuk bazohet vetëm tek dëshira jonë, por edhe tek ajo që do shprehim në fushën e lojës”.

Bardheblutë kanë nxjerrë mësime nga ndeshjet e fundit ku kanë pësuar gola në minutat shtesë. Pritet reflektimi që në takimin e së premtes.

Tv Klan