“Ëndrrat që mbartim”, kështu quhet ekspozita e fundit e fotografit të mirënjohur shqiptar Renuar Locaj në Muzeun Kombëtar. Këtë herë ai vjen ndryshe, larg një jete të bukur me drita, duke vuajtur dhe kërkuar shpresë. Janë portrete refugjatësh ku artisti ka përcjellë dramën nëpërmjet fotografisë. Ai ka shkuar në kampet e refugjatëve, në vendet ku ndodheshin për të kapur këto fragmente. Locaj është fokusuar tek sytë pasi dhimbja dhe shpresa fshihet në to.

Sot në emisionin “Jo Vetëm Modë” në Tv Klan ai tregoi se cila është muza shqiptare e cila e ka frymëzuar dhe ka fituar një çmim të rëndësishëm ndërkombëtar.

Orinda Huta: Për sa i përket çmimit në Paris, më flit pak për të.

Renuar Locaj: Në fakt ky çmim është që në 2017, kam marrë pjesë me një foto të Klaudia Pepës, që ka qenë dhe është muza ime në fotografi. Ky konkurs realisht ka qenë një çmim ku unë jam ndjerë mirë dhe përveç kësaj, juria që më ka dhënë çmimin. Pasi juria përbëhet nga artistë të ndryshëm, që janë gazeta prestigjoze, si Neë York Times, National Geographic, Vanity Fair.

Orinda Huta: Ky është një çmim i marrë gjatë karrierës tënde, mendon që t’i shtosh këto çmime? E ke menduar të marrësh pjesë nëpër konkurse, të tilla pse jo për t’i shtuar çmime karrierës tënde.

Renuar Locaj: Kjo realisht vjen vetvetiu, ndoshta dhe me disa nga fotot këtu ndoshta mund të marr ndonjë çmim, por kjo i ngelet të ardhmes.

Orinda Huta: Për personazhet publikë, ti ke bashkëpunuar shumë shpesh, është e vështirë Renuar?

Renuar Locaj: Në shumicën e rasteve nuk kam pasur vështirësi. Është diçka në bazë të komunikimit që ti bën me individin. Është dhe pjesa e punës që ti bën pasi ata kanë besim ndaj teje, i pëlqen puna dhe të lejojnë ty të bësh çfarë ti dëshiron./tvklan.al