7 kuintalët e drogës të kapur në Greqi nga policia greke dhe DEA amerikane, ishin të destinuara për në Milano.

Mediat italiane zbulojnë se cila ishte linja e trafikut të drogës, në të cilën rezulton i implikuar edhe ish – Drejtori i Transporteve të Sarandës, Klement Balili, i cili ka humbur gjurmët pas shkarkimit nga detyra, javën e kaluar.

Sipas tyre, droga e kapur në Zakinthos kishte destinacion Salenton, në Itali, ku arrinte me një çmim prej 1 mijë eurosh për kilogramë.

Por tregu final ishte Milano, ku çmimi rritej me 700 deri në 800 euro për kilogramë.

Rruga e trafikut nis nga Shqipëria me ndalim në ishujt grekë, më pas në brigjet italiane ku ngarkohet mbi kamionë për t’u shpërndarë më pas në Milano.

Edhe shpërndarja në këtë kryeqendrën e Lombardisë, sipas mediave italiane, kontrollohej nga Klement Balili, apo menaxheri i shtetit, siç e quajnë ato dhe organizata e drejtuar prej tij.

“Corriere Della Sera”, duke iu referuar burimeve hetimore, shkruan se “Menaxheri i shtetit shqiptar, apo Eskobari i Ballkanit, është parë prej disa vitesh në Milano, ku ka ardhur për takime zyrtare nga detyra që mbante apo për takime “informale” me shqiptarë të tjerë, që operojnë mes Milanos dhe provincës.

Ajo jep detaje edhe për jetën luksoze të Balilit dhe lëvizjet e tij në zonat më të shtrenjta të Milanos, si zonën e Galerisë në Piaca Duomo, në dyqanet e shtenjta në Korso Verçeli, në Porta Venecia apo sheshin e Republikës.

Gazeta shkruan se Balili mund të jetë fshehur në Greqi dhe thekson se Balili përdorte rolin e tij si zyrtar për të trafikuar sasitë e mëdha të drogës dhe të merrte informacione në kohë reale mbi lëvizjet e hetuesisë dhe policisë.

 

14:03/“Corriere della Sera”: Droga, gjuetia e madhe në Europë për “Eskobarin e Ballkanit”

“Kelmend Balili është një menaxher shteti, një njeri i besueshëm i qeverisë shqiptare.”  Kështu e nis artikullin e saj e përditshmja italiane, “Corriere della Sera” për “Eskobarin e Ballkanit”.

Mbi 7 tonë marijuanë të sekuestruar në një gomone në brigjet e Greqisë ishin të destinuar të mbërrinin në Itali, fillimisht në Salento e më pas drejt Milanos, pasi çmimi i drogës shkon nga 700-800 euro për kg.

Në krye të kësaj organizate droge dhe dhjetëra të tjerave ka një të dyshuar, ai është Kelmend Balili, i njohur si “Eskobari i Ballkanit” që kërkohet në gjysmën e europës – shkruan “Corriere della Sera”.

Agjencia Federale amerikane antidrogë , “Dea”, ka kritikuar ashpër përfshirjen e qeverisë shqiptare me trafikantët. Gjithashtu thuhet se nuk është zgjidhur ende  çështja e Dritan Zaganit, polici që me anë të hetimeve të tij kishte arritur pranë Ministrit të Punëve të Brendshme shqiptar,  por që më pas u burgos dhe u detyrua të largohet jashtë vendit, nga frika e ndonjë vrasësi me pagesë.

Menaxheri i shtetit shqiptar, sipas burimeve të inteligjencës, është parë disa herë në Milano gjatë këtyre viteve për takime zyrtare e prestixhoze  për shkak të profesionit të tij, si dhe në takime informale me bashkëatdhetarë të tij në qytetin e Milanos dhe të provincave.  Sipas të njëjtave burime, ndalesat e Balilit  kanë qenë nëpër Galeri, (Galeria Vittorio Emanuele II në Milano, një zonë tregtare me dyqane të shtrenjta e quajtur ndryshe dhe si salloni i borgjezisë së lartë milaneze), në dyqanet e rrugës Vercelli, si dhe në ndalesat në Porta Venezia e Sheshi i Republikës.

“Që diçka nuk shkon me drejtësinë shqiptare, kjo është e njohur”

– thuhet në “Corriere della Sera”.

E konsideruar si “Kolumbia e Europës”, për prodhimin e drogës, rafinerive të saj dhe familjeve që bëjnë miliona me drogën, Shqipëria jeton një luftë të egër mes shërbimeve sekrete e qeverisë.

Të parët akuzojnë të dytët për autorizime ilegale të përgjimeve, falë instrumentave të prodhuara nga një shoqëri italiane, e që kalonin përmes kanalit diplomatik italian, drejtuar nga Anna Poggi, që koordinonte punën mes forcave të Interpolit. Pas shpërthimit të skandalit Zagani, Anna Poggi u largua nga Ministria e Brendshme italiane e rasti i saj mbart me vete disa pyetje.

Çfarë dinte mbi Zaganin? Cili është raporti i saj me Tiranën? Çfarë i mban “pranë” politikanët kryesorë shqiptarë me disa funksionarë italianë?/tvklan.al