“Nuk mund të qëndrojë më në detyrë pas 3 emërimeve të reja”

Ardian Dvorani nuk mund të jetë më gjyqtar i Gjykatës së Lartë dhe rrjedhimisht as kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Ky është vendimi që ka marrë këtë të enjte, Këshilli i Lartë Gjyqësor pas një mbledhjeje maratonë që zgjati disa orë dhe ku nuk munguan debatet mes anëtarëve.

Në fund, KLGJ vendosi me 6 vota pro dhe 4 kundër ndërprerjen e mandatit të Dvoranit në Gjykatën e Lartë duke i propozuar atij një vend në Gjykatën e Apelit. Kërkesën për të rishikuar mandatin e Dvoranit në Gjykatën e Lartë e bëri Presidenti i Republikës, Ilir Meta më 15 Prill, duke argumentuar se ai nuk mund të qëndrojë më në detyrë pas përfundimit të mandatit, me pretendimin deri në emërimin e një pasuesi, në kohën kur tashmë aty kanë marrë detyrën 3 anëtarët e rinj, Sokol Sadushaj, Ervin Pupe dhe Ilir Panda.

Në mbledhjen e KLGJ-së, relatorja Marsela Shehu tha se Dvoranit i ka mbaruar detyrimi kushtetues për të pritur pasardhësin e tij dhe se qëndrimi në detyrë mbi afate cënon dhe vë në rrezik parimet e Kushtetutës. Në të njëjtën linjë është shprehur edhe shumica e anëtarëve të KLGJ-së si Alban Toro, Brunilda Kadi, Erjon Muharremi dhe Ilir Toska. Ata theksuan se Dvoranit i ka mbaruar detyrimi për të qëndruar më në këtë detyrë.

Pas vendimit Dvorani u shpreh për mediat nëpërmjet zëdhënësit se juridikisht kjo është një gafë e paimagjinueshme, por duhet të shikojë çfarë do të katranosin në arsyetim. “Reforma e Drejtësisë ka ende rrugë të gjatë për të provuar qëllimin e mirë të saj”, thuhet në reagimin e Dvoranit.

Vendimi vjen një ditë pas përgjigjes së 2 misioneve të huaja OPDAT dhe EURALIUS që refuzuan të japin një opinion në lidhje me mbarimin ose jo të mandatit të Dvoranit. Ky i fundit u emërua në Gjykatën e Lartë në vitin 2005 nga radhët e juristëve. Mandati i mbaroi në vitin 2014, por qëndroi edhe 6 vjet të tjera në detyrë.

Vetë Dvorani pretendonte se Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk mund të vendosë për mandatit e tij si gjyqtar. Emri i Ardian Dvoranit u vu në qendër të vëmendjes pas akuzave të Presidentit Meta për shkelje të procedurave për emërimet në Gjykatën Kushtetuese për të cilin ka bërë edhe një kallëzim në prokurori.  

Tv Klan