“Qëndrime të tilla cenojnë pavarësinë e gjyqtarëve, drejtohuni ILD-së” 

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka reaguar për letër-kërkesën e bërë nga Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi kundër gjyqtarin të Gjykatës Administrtive të Gjirokastrës Elidon Papazisi.  Në reagimin e tyre qeveria e gjyqtarëve  thotë  se qëndrime të tilla nxisin në publik ndjenjën e armiqësisë ndaj pushtetit gjyqësor dhe krijojnë imazhin e gabuar mbi togat e zeza si dhe cenojnë rëndë figurën e dinjitetin e gjyqtarit.

Çuçi theksonte se gjyqtari kishte dhënë vendime që janë bërë shkak që të pengohet aksioni i IKMT dhe Policisë së Shtetit, në operacionin “Bregdeti ynë”. Qeveria e gjyqtarëve ka shprehur keqardhjen për reagime të tilla të cilat mund të cenojnë pavarësinë e gjyqtarëve në dhënien e drejtësisë.

Sipas KLGJ-së qëndrime të tilla publike ndikojnë negativisht në ushtrimin e detyrës nga gjyqtarët, të cilat mund t’i detyrojnë ata që të japin vendime në kundërshtim me parimet e pavarësisë dhe paanësisë. Këshilli i Lartë Gjyqësor fton të gjithë aktorët të respektojnë vlerat thelbësore të një shteti të së drejtës.

Në deklaratën zyrtarë këshilli shprehet se kushdo që ka dijeni që një vendim i një gjyqtari është dhënë në kundërshtim me ligjin mund ta referojë rastin pranë Inspektorit të lartë të Drejtësisë, si institucioni kompetent për të inspektuar dhe verifikuar vendimmarrjen e prokurorëve dhe gjyqtarëve në Republikën e Shqipërisë.

Klan News