ILD kërkon shkarkimin e magjistrates

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka përfunduar dëgjimin e palëve dhe javën tjetër do të vendos nëse gjyqtarja e Krujës, Enkeleda Hoxha, e akuzuar nga SPAK për korrupsion, do të shkarkohet ose jo nga detyra.

Gjatë seancës së fundit u paraqitën konkluzionet përfundimtarë të palëve, ndërsa avokati i gjyqtares, Ardian Visha e ka konsideruar gjithë procesin politik. Ai mësohet se ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet e SPAK dhe Inspektorit të Drejtësisë për një sërë shkeljesh të pretenduara, me përjashtim të përllogaritjes së kohës së dënimit të kryer nga Hekuran Billa në Britaninë e Madhe.

Këtë e ka pranuar edhe vet gjyqtarja Enkeleda Hoxha e cila mësohet se ka pranuar se mund të ketë shkelur ligjin duke i ulur një vit dënimin për Billën. Por hoxha është shprehur se këto nuk janë arsye që ajo të shkarkohet nga detyra.

Ndërsa Inspektori i Lartë i Drejtësisë i qëndroi kërkesës së tij që magjistratja duhet të shkarkohet, me argumentin se Hoxha ka cenuar parimin e paanësisë së gjykimit, nuk ka respektuar kriteret për amnistinë dhe se në 5 procese ka mungesë në arsyetimin e vendimeve.

Enkeleda Hoxha u arrestua me urdhër të SPAK së bashku me 9 persona të tjerë pasi dyshohet se bashkëpunonin me njeri-tjetrin për të liruar apo ulur dënimin për persona të dënuar kundrejt vlerave monetare.

Tv Klan