Klodi Qerimaj është mbesa e mjeshtrit të madh të violinës, artistit Hetem Qerimaj. E ashtu si gjyshi i saj, pasioni e talenti i Klodit është pikërisht violina. E ftuar mbrëmjen e kësaj të mërkure në studion e Opinion, ajo tregoi më shumë për jetën dhe karrierën.

Blendi Fevziu: Si nise? Me gjyshin?

Klodi Qerimaj: Të rritesh nga një familje muzikantësh nuk ke nga devijon. Tingujt që në vogëli, diku do shohësh diçka, diku do të të japin diçka. Ashtu ka nisur. Kam filluar që 4 vjeçe, ka qenë dalja ime e parë në skenë.

Blendi Fevziu: Sa vjet kishte luajtur gjyshi në violinë?

Klodi Qerimaj: Gjyshi e ka filluar violinën diku në moshën 10-12 vjeçare dhe deri në fund të jetës së tij, nuk e ndau asnjëherë violinën dhe ma la edhe mua.

Blendi Fevziu: Ti studiove pastaj në shkollë? Sepse gjyshi nuk kishte studiuar ndonjëherë…

Klodi Qerimaj: Patjetër që kishte studiuar. Me dy nga profesorët më të mirë që kishte Shqipëria asokohe, të cilët kishin mbaruar në Rusi dhe ai mori pikërisht mësimet nga ata. Ndërkohë unë fillova në moshën 6-vjeçare Liceun Artistik. E mbarova me të tëra 10-ta. Vazhdova Akademinë e Arteve. Pas Akademisë së Arteve, fitova një bursë Erasmus në Itali, në Trieste. Atje më pas konkurrova, fillova vitin e plotë dhe jam diplomuar shkëlqyeshëm. Madje dhe me titullin e nderit. Me rezultatin më të lartë. Ka qenë një nga gjërat që doja t’ia dhuroja gjyshit dhe familjes.

Blendi Fevziu: Tani me së merresh?

Klodi Qerimaj: Aktualisht jam rikthyer në Shqipëri, në Tiranë, përsëri. M’u ofrua një punë si mësuese violine në Itali, por ndodhi pandemia, nuk munda dot të qëndroja vetëm dhe u riktheva përsëri. Ky rikthimi më bëri që të qëndroja këtu, të filloja punë si mësuese muzike dhe violine. Më pas u ktheva përsëri në Trieste nga një ofertë që m’u dha nga Teatri i Verdit. Vazhdova aty dhe konkurrova dhe në një orkestër tjetër të të gjithë rajonit. Fitova atje dhe sërish u riktheva për familjen. 

Blendi Fevziu: Ju në familje jeni të gjithë me violina në dorë?

Klodi Qerimaj: Po shumica prej nesh po./tvklan.al