Për aferën e Inceneratorit të Tiranës kanë shkuar pas hekurave një numër i zyrtarëve të lartë me vendim të Gjykatës së Posaçme.  Pikërisht për këto arrestime po diskutohet sonte në “Opinion” në Tv Klan.


E ftuar në studio, gazetarja Klodiana Lala flet me detaje për pretendimet e SPAK sa i takon kësaj afere. Ajo thotë se dy emra janë “risia” e të përfshirëve dhe shton se është e çuditshme pse Prokuroria e Posaçme nuk ka kryer asnjë veprim hetimor që prej 2021-it.

“Ata që janë risia si të përfshirë në inceneratorin e Tiranës, Taulant Tushe anëtar komisioni  dhe Namik Samixhiu si dhe dy punonjës të Qendrës Kombëtare të Biznesit. Ajo që bën çudi është se gati dy vite Prokuroria e Posaçme nuk ka kryer asnjë veprim hetimor. Po ta shikosh dosjen me kronologji nuk jepen shpjegime pse nuk është hapur kjo dosje. Më pas fillon relatimin gjykata duke thënë që personi që ka iniciuar procedurën partneritet publik-privat është kryetari i bashkisë së Tiranës i cili i është drejtuar Ministrisë së Drejtësisë në atë kohë me një shkresë ku i thotë se është bërë një studim nga IFC-ja për trajtimin e mbetjeve në Tiranë. Ministria e Mjedisit i përgjigjet dhe dy institucionet ngrenë një grup pune për këtë histori që më pas është incenerator. Kjo është pikëpyetja e parë sepse nuk është sqaruar roli i tij”

Po ashtu, Lala thekson se nga të dhënat pas ekspertimit të kompjuterit të Klodian Zotos, është zbuluar personi që transferonte informacionin nga Ministria e Mjedisit te kompania e tij. Sipas gazetares, Zoto kishte të gjitha institucionet në dispozicion.  

“Të gjitha institucionet shtetërore kanë qenë në shërbim të Klodian Zotos. Së pari Alqi Bllako ka punësuar pranë kompanisë së Zotos, Vladimir Bezhanin i cili ishte këshilltar i jashtëm i Ministrit të Mjedisit. I cili merrte një pagesë prej 800 mijë lekësh të vjetra dhe të gjitha ato informacione apo të dhëna që siguronte në punën e tij si këshilltar i jashtëm ja kalonte dhe furnizonte Klodian Zotos, i cili me punonjësit e vet i përpunonte në studime fizibiliteti dhe më pas ua kalonte punonjësve të ministrisë. Këta të fundit në shumicën e rasteve kanë funksionuar me e-maile private. Kur Zoto kishte diçka që nuk shkonte ata i thoshin kujdes këtu ne të japim konsulencë juridike. Klodian Zoto dinte gjithçka. Që nga anëtarët e komisionit e deri te diskutimet në mbledhje dhe më pas ia kalonte Mërtirit që është truri. Kanë ardhur pa asnjë lek në xhep dhe kanë ikur me miliona.”/tvklan.al