Gjykata e Posaçme dëgjoi mbrojtjen e biznesmenit Klodian Zoto dhe 3-ish zyrtarëve të tjerë të Ministrisë së Mjedisit dhe Bashkisë së Elbasanit, të hetuar në dosjen e konçensionit të inceneratorit të Elbasanit.
Zoto i cili ndodhet në arrati, nëpërmjet avokatit të tij Ardian Leka, tha se nuk kishte besim që Gjykata në këtë cështje të jetë e pavarur dhe e drejtë, duke e konsideruar procesin si të paragjykuar.
Ardian Leka, avokat i Klodian Zotos: Zoto nuk njeh asnjë nga të pandehurit dhe nuk mund të pretendohet se ai ka marrë favorizime nga ata. Njohje ai ka vetëm me Mirel Mërtirin. Çështja e ngritur nga SPAK është hetuar më parë nga Prokuroria e Elbasanit dhe është marrë një vendim pushimi, duke e bërë këtë çështje të gjykuar. Projekti i inceneratorit është përfunduar dhe është funksional, pra nuk ka asnjë dëm në ngarkim të shtetit.
Mbrojtjen në Gjykatë e bën edhe Pëllumb Abeshi, kryetar i komisionit të përzgjedhjes, i cili pretendoi se nuk ka shkelur ligjin dhe kërkoi pushim të çështjes dhe pafajësim. Vetë Abeshi mbrojti të gjithë projektin e incenerimit duke e konsideruar si të nevojshëm dhe të duhur.
Pafajësi kërkuan edhe Serafin Papa dhe Bardhyl Çabiri, të dy përfaqësues të Bashkisë së Elbasanit në komisionin e përzgjedhjes në konçensionin e Elbasanit.
Në seancën e radhës për inceneratorin e Elbasanit që do të mbahet në 27 Korrik, treshja gjykuese do dëgjojë mbrojtjen e dy biznesmenëve të tjerë, Stela Gugallja dhe Mirel Mërtiri, teksa pritet që gjykata të tërhiqet për një vendim përfundimtar.
Tv Klan