“Turistët prenotonin hotele online, ranë pre e mashtrimit”

Ekspertët e krimit kibernetik, pas operacionit të koduar “Booking”, vunë në pranga tre të rinj, që përmes mashtrimit kompjuterik vodhën 84 mijë euro në llogaritë bankare të turistëve të huaj, të cilët prenotonin hotele në qytetin e Durrësit.

Nga hetimet e kryera dyshohet se këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, nëpërmjet kartave të klonuara, duke mashtruar shtetas të huaj që kryenin rezervime në hotele për turizëm, kanë marrë prej tyre shumën prej 84 mijë Euro.

Vjedhja përmes përdorimit të kartave të bankave në internet është një fenomen shqetësues. Në vendin tonë janë zbuluar disa raste të vjedhjes së kartave të bankave përmes klonimit.

Autorët, kryesisht përdorin sistemin “skimmer”, duke instaluar një pajisje në bankomat, që kopjon të dhënat dhe më pas klonojnë karta banke për të realizuar vjedhjen.

Ndërsa për ekspertët e sigurisë së bankave, klientët e blerjeve online duhet të jenë të kujdesshëm në përdorimin e të dhënave personale pasi mund të bien pre e mashtrimeve.

Tv Klan