Takim me operatorët turistikë në Vlorë

Nga Vlora, në një takim me tur operatorët, ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi tha se falë investimeve në bregdetin e Vlorës, industria i turizmit do të jetë konkurrente në rajon.

“Bërja e aeroportit, përfundimi i tunelit të Llogarasë, përfundimi i by passit të Vlorës do t’i disafishojë këto investime dhe këto struktura. Por njëkohësisht me tokën edhe deti. Eshtë një industri e tërë, e cila do të bëhet nga ne, nga shqiptarët. Prandaj do të duhet të jemi shumë të strukturuar dhe ta mendojmë qartë se ku duam të shkojmë dhe çfarë duhet të kërkojmë nga kjo ekonomi e re. Dhe besoj dhe në këtë sektor ne do të jemi përsëri agresiv, do të jemi konkurrent, do të jemi krijues dhe ambicioz”.

Ndërsa deputeti Damian Gjiknuri tha se pas ikjes së pandemisë Vlora do të jetë epiqendra e turizmit, falë edhe aeroportit të ri.

“Këtu afër do të ndërtohet dhe një spital i ri po u bë porti i jahteve, porti i ri turistik dhe disa zhvillime të tjera në një nivel më të vogël për turizmin në Gjirin e Vlorës, përfshirë dhe investimet të tipit serioz që do të shkojnë deri në Orikum përsa i përket shëtitores bregdetare jam i bindur se Vlora do të kthehet në një atraksion turistik përtej sezonit që jemi mësuar ta shohim. Le të shpresojmë që shumë shpejt të jetë dhe Aeroporti Vlora do të kthehet vërtet në një klas të ri, në një qendër të zhvillimit turistik dhe Gjiri i Vlorës të jetë epiqendra e turizmit detar shqiptar dhe jam i bindur që do të jetë”.

Investimet në hotele  për ministrin Klosi kanë ardhur edhe falë lehtësirave për TVSH-në e kësaj industrie.

Tv Klan