“Asnjë diferencim mes banorëve, plan afatgjatë strehimi”

Ministri Klosi ishte në zonën e Manzës, ku inspektoi ndarjen e ndihmave për banorët e prekur nga tërmeti. Ai theksoi se çdo familje po merr trajtimin e duhur dhe maksimal. Klosi hodhi poshtë deklaratat e opozitës për diferencim të banorëve, apo dhe kushtet ku janë strehuar.

“Nuk ka asnjë diferencim, çdonjëri do të marrë trajtimin që i duhet dhe trajtimin sa më të mirë për kushtet e dimrit që kemi përpara, por edhe për sistemimin afatgjatë. Për çdo familje është gjetur një zgjidhje për ata që duan të sistemohen në hotele, janë tashmë në hotele, për familjet që duan t’i afrohen zonave ku kanë banuar do të kenë çadrat dimërore me të gjitha kushtet, por po ashtu për një pjesë të familjeve që duan të gjejnë edhe një zgjidhje alternative qoftë në qytetin e Durrësit apo në Tiranë, po afrohet sistemi i kredive afatgjata për t’i ofruar gjithësecilit një zgjidhje më të qëndrueshme”.

Ministri bëri të ditur se në aktualisht 4200 persona janë të sistemuar në 16 hotele. Ai theksoi se po përgatitet një plan emergjence për rikthimin në jetën e përditshme të banorëve të prekur nga tërmeti.

Tv Klan