Ministri i Turizmit takon përfaqësues të hoteleri-turizmit në Spille

Në një bashkëbisedimin me përfaqësues të hoteleri-turizmit në Spille të Kavajës, Ministri Blendi Klosi u shpreh se sezoni turistik i vitit 2020, ndonëse nisi me shumë të panjohura, u përballua me sukses si një sezon mbijetese.

Megjithatë ministri ka kërkuar qe  të investohet për të pasur më shumë struktura akomoduese, pasi në muajin Gusht dhe fillimin e Shtatorit, nuk ka patur mjaftueshëm dhoma për pushuesit.

“Së bashku ia dolëm të kishim një sezon jo vetëm mbijetese, por edhe një sezon me risi të reja dhe me një fuqi të madhe e cila dëshmoi që në kemi një industri turistike të përgatitur. Sfida jonë e madhe është që në këtë nivel ta ngremë bregun shqiptar në një destinacion turistik për gjithë rajonin. Viti 2020 dëshmoi që kemi pak struktura akomoduese. Gjatë gjithë Gushtit ishte e vështirë të gjeje dhoma bosh në hotelet e bregut shqiptar”, tha Klosi.

Ministri Klosi ka bërë të ditur gjithashtu se këtë vit në gjithë vendin pati afro 2800 aplikime në aplikacionin e-albania për plazhe private. Ndaj ai kërkoi që këshillat bashkiake të merren që tani për të përcaktuar hartat e plazheve dhe pas likuidimit të detyrimeve për bashkitë përkatëse, lejet të jenë 5-vjeçare.

Tv Klan