Këshilli i Lartë i Prokurorisë është mbledhur sot për të diskutuar kërkesën e paraqitur nga PD dhe LSI për shkarkimin nga detyra të kryeprokurores Arta Marku. Diskutimi për këtë pikë po zhvillohet me dyer të mbyllura.

Kërkesa arsyetohet me argumentin e përfaqësuesve opozitarë se kryeprokurorja përcolli kandidaturën e Bujar Sheshit si kandidaturë që plotëson kriteret për të qenë pjesë e KLP-së, pa pritur përgjigjen e verifikimit mbi integritetin e figurës së tij.

Po ashtu gjatë mbledhjes së sotme Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi edhe komandimin e 6 anëtarëve për pozicionet e këshilltarëve përmes procedurës së komandimit të prokurorëve.

Ata janë Arjan Muçaj, Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër; Artur Cara, Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier; Mihallaq Bleta, Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë; Mirela Kapo, Prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë; Ornela Rrumbullaku, Prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë; Vitjuna Mata, Prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë./abcnews.al