PD:  Reagimi i KLP është mashtrim

Pas akuzave të Partisë Demokratike se Kreu i ri i SPAK-ut Arben Kraja ka qenë hetues i periudhës së komunizmit ku ka marrë pjesë në procese politike dhe se prokurori Altin Dumani ka zhvilluar takime me deputetë të Partisë Socialiste ka ardhur edhe reagimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Përmes një deklarate, KLP-ja sqaron se e kaluara e të gjithë prokurorëve të SPAK-ut është verifikuar imtësisht, duke garantuar se trupa e përzgjedhur e prokurorëve që janë pjesë e kësaj strukture janë personat më të kontrolluar në Shqipëri.

“Të gjithë prokurorët që sot shërbejnë në SPAK, kanë kaluar me sukses verifikimet e sipërpërmendura. Ata janë pa dyshim njerëzit më të kontrolluar e të testuar në Shqipëri. Madje, kalimi i këtyre testeve ka qenë një parakusht për të marrë pjesë në garën e organizuar nga Këshilli për përzgjedhjen e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme. Më tej prokuroret e SPAK janë përzgjedhur midis shumë të tjerëve në një proces konkurrues dhe transparent. Pretendimet që ngrihen nuk janë ligjore, por mendime të cilat në asnjë rast nuk mungojnë në diskursin publik”, thuhet në deklaratë.

Por selia blu përmes një deklarate e cilësoi mashtrim deklaratën e bërë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

“Reagime të tilla të dënueshme janë të pritshme nga një organ si KLP, që është nën drejtimin e militantit të PS-së, Gent Ibrahimi dhe me shumicën e anëtarëve të kontrolluar nga pushteti dhe të zgjedhur në mënyrë të paligjshme. KLP kishte detyrimin të informonte opinionin publik, nëse Arben Kraja, Drejtues i SPAK, ka qenë apo jo hetues i regjimit gjakatar komunist përpara viteve 1990 në gjyqe politike? KLP ka detyrimin të informojë opinionin publik, nëse Altin Dumani, prokuror i SPAK, është apo jo personi në foto, i raportuar nga media që një ditë përpara se KLP e partisë të votonte drejtuesin e SPAK, kërkonte mbështetjen e përfaqësuesit të Partisë Socialiste Ulsi Manja”, tha ai.

Demokratët kërkojnë që prokurorëve të cilëve u është vënë në dyshim integriteti, pavarësia dhe paanshmëria, duhet të sqarojnë pozicionin e tyre duke vlerësuar edhe mundësinë për të hequr dorë nga përbërja e SPAK-ut.

Tv Klan