Me 10 vota pro dhe 1 kundër, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka shkarkuar këtë të mërkurë nga detyra prokurorin e Krujës, Bujar Memia.

Kërkesa për shkarkimin e tij ishte bërë nga Inpektorati i Lartë i Drejtësisë, për shkelje të rënda profesionale që diskretitojnë pozitën dhe figurën e prokurorit gjatë ushtrimit të detyrës.

Hetimi ndaj prokurorit nisi pas dyshimeve për favorizim për lirimin nga burgu të të dënuarit Hekuran Billa, i ekzekutuar në atentat në Qershor të vitit të shkuar.

Reagon Memia: Parlamenti presion ndaj KLP. Nuk kam shkelur asnjë ligj

Pas vendimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për shkarkimin nga detyra si prokuror, në një reagim për mediat Bujar Memia akuzoi parlamentin për presion ndaj KLP. Ai tha se nuk ka shkelur asnjë ligj dhe se do të vazhdojë betejën ligjore.

“Parlamenti i Republikës së Shqipërisë ndërhyri në mënyrë flagrante, formë presion i hapur, ndaj Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Ne nuk kemi bërë asnjë lloj reagimi mediatik. Do vazhdojmë betejën tonë, jam tërësisht i bindur që nuk kam shkelur asnjë ligj të Republikës së Shqipërisë”.

I pyetur se çfarë nënkuptonte me presion nga parlamenti, Memia tha: “Atë e kuptoni ju, kam edhe një mbiemër, edhe nga vij… ”

KLP PRANON KERKESEN E ILD PER SHKARKIMIN E NJE MAGJISTRATI NGA DETYRA | Njoftimi i ILD

“Këshilli i Lartë i Prokurorisë pranoi sot kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për shkarkimin nga detyra të magjistratit Bujar Memia. Pas verifikimit të nisur me iniciativën e tij, Inspektori i Lartë i Drejtësisë kishte urdhëruar korrikun e kaluar fillimin e hetimit disiplinor për magjistratin Bujar Memia, me detyrë prokuror pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë për shkelje të rënda profesionale, që diskreditojnë pozitën dhe figurën e prokurorit gjatë ushtrimit të detyrës. Në kërkesën për procedim disiplinor para Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani kishte argumentuar, se në raport me faktet e provuara gjatë hetimit disiplinor ishte konstatuar mospërmbushje e pajustifikuar e funksioneve të magjistratit, gjatë dhe pas gjykimit, që çoi në lirimin para kohe me kusht të një të dënuari, si dhe mosrespektim i rëndë dhe i vazhduar i legjislacionit material dhe procedural penal. Ky është magjistrati i tretë, që shkarkohet nga detyra për shkelje të rënda disiplinore, lidhur me lirimet para kohe me kusht, një prioritet i shpallur nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, që në marrje të detyrës.” /tvklan.al