Nuk blen pajisje kontrolli, por autovetura

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka shpenzuar miliona për të blerë makina për lëvizjen e titullarëve dhe punonjësve, por nuk ka blerë aparate për matjen e cilësisë së produkteve ushqimore dhe të kiteve për marrjen e mostrave për produktet bimore, që ndikojnë drejtpërdrejte tek siguria ushqimore. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar se AKU  ka blerë 11 autovetura më shumë se plani i parashikuar.

“Vërejmë se plani i investimeve për blerje  automjetesh nga 41, janë kryer 52 duke tejkaluar në sasi me 11 automjete më tepër, ku bie në sy automjeti “Audi” me një vlerë 7,6 mln lekë që nuk justifikon destinacionin e përdorimit të Planifikuar si dhe çmimi e tij sa dyfishi i çmimit të dy tipeve të tjera së bashku. Po ashtu për sa i përket pajisjeve speciale – Kit/set për marrje mostre, nga 12 copë të planifikuar (nga një për çdo Drejtori Rajonale) është marrë vetëm një copë. Nga 60 copë aparat matës për cilësinë e vajit të skuqur, janë blerë vetëm 33 copë (9 drejtori kanë marrë nga 3 copë dhe 3 drejtori nga 2 copë). Nga 12 automjete frigoriferike, nuk është blerë asnjë i tillë.”

Ky konstatim i Kontrollit të Lartë i Shtetit i shtohet listës së abuzimeve të gjetura nga auditi i bërë në Autoritetin Kombëtar të Ushqimit për sa i përket sigurisë ushqimore. KLSH thotë se AKU ka lejuar futjen e pesticideve të rrezikshme që janë përdorur në Bujqësi dhe se nuk ka inspektorë për të kontrolluar lëvizjen e mallrave ushqimore nëper dogana. Televizioni Klan dhe Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorit zbuluan gjithashtu se AKU nuk kryen analiza për produkte të shumta bujqësore që dalin në treg. Mjaft prej tyre kanë rezultuar me nivel të lartë nitrati e hormonesh.

Tv Klan