KLSH: Borxhi Tatimor 1.07 miliardë dollarë, sa 7% e PBB-së

Posta

KLSH: Borxhi Tatimor 1.07 miliardë dollarë, sa 7% e PBB-së

15:49 14/10/2019

Gjysmën e borxhit në Tatime e kanë 50 kompani të mëdha

Vlera e borxhit që bizneset kanë ndaj administratës tatimore ka arritur në 1 miliard e 77 milionë miliardë dollarë në fund të vitit që shkoi, duke u rritur me 120 milionë dollarë nga 2017-a.

Një raport, auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka evidentuar se afërsisht gjysmën e kësaj vlere e zotërojnë 50 subjekte të mëdha, shumica prej të cilave kanë konvertuar statusin në pasiv, duke e vështirësuar më shumë mbledhjen e detyrimeve.

Por shifra më shqetësuese për Kontrollin e Lartë të Shtetit lidhet me krijimin e detyrimeve të reja, ku vetëm në 2018-n borxhi i ri arriti në 287 milionë dollarë.

“Faktorët që kanë ndikuar në rritjen e borxhit për vitin 2018 janë: shtesat e borxhit të cilat vijnë nga vlerësimet dhe rivlerësimet e Administratës Tatimore, moskryerja e pagesave nga tatimpaguesit dhe mos marrja e masave shtrënguese nga administrata tatimore.”

Në total janë rreth 145 mijë subjekte që rezultojnë më detyrime të papaguara, shumica e të cilave janë në zërin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar dhe Tatimit mbi Fitimin, ndërsa konstatohen po ashtu edhe detyrime të konsiderueshme në zërin e Sigurimeve Shoqërore, ku shumë kompani nuk kanë derdhur kontributet për punonjësit. Më të rregulltit rezultojnë individët, të ardhurat personale zenë vetëm 1% të borxhit në Tatime.

Borxhi tatimor ka qenë gjithmonë një shqetësim për të gjitha qeveritë, por edhe për institucionet ndërkombëtare që kanë asistuar vendin. Në rastet e rritjes së tij, qeveritë kanë iniciuar nisma për faljen e tyre, të cilat janë kritikuar nga organizmat ndërkombëtarë. Si efekt i ligjit të faljes, borxhi tatimor u ul me 35 % në 2017-n, ndërsa një vit më pas ai është rritur në të njëjtat nivele. 

Tv Klan


Reklama
LAJMET

Të ngjashme

Reklama
UKT
UKT

Grupi