Diskutimin për buxhetin faktik kreu i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë e mbylli duke treguar 3 tabela të ndryshme që flisnin për nivelin e defiçitit në buxhet. Në vitin 2017-ë, deficiti rezulton 2%, më i ulëti se në shumë periudha, por më i lartë se në 2016-n.

Niveli i defiçitit buxhetor është i rëndësishëm pasi tregon sa para ka mbledhur shteti nga taksat dhe sa ka shpenzuar, sa më i lartë të jetë ai, aq më i lartë është edhe borxhi që merret për të financuar buxhetin. Por në auditimin që Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka bërë buxhetit të 2017-s rezulton se financat nuk kanë raportuar në mënyrë të saktë disa shpenzime të bëra, në mënyrë që të ruanin kufijtë e miratuar në ligj për defiçitin.

Mosrakordim të shifrave mes Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe qeverisë ka edhe në nivelin e saktë të borxhit publik. KLSH ka evidentuar 110 milionë Dollarë detyrime të prapambetura për rimbursim të TVSH-së dhe 115 milion të tjera në zërin e shpenzimeve kapitale. Megjithatë faturat për shpenzimet kapitale janë paguar gjatë 2018-s konstaton KLSH.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar se në 2017-ën dëmi ekonomik i shkaktuar buxhetit përmes shkeljeve është 60 milionë Dollarë, ndërsa parregullsitë e bëra arrijnë vlerën e 1.3 miliard Dollarëve, afërsisht sa një e treta e të gjithë buxhetit. Dëmin ekonomik më të madh e ka sjellë keqadministrimi i pronës shtetërore të dhënë me qira dhe kontratave koncesionare.

Tv Klan