Kontrolli i Lartë i Shtetit kallëzon në Prokurori Kryetarin e Bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu. Pas një auditi të kryer në këtë Bashki, për periudhën Janar 2015 – Qershor 2016 është konstatuar një dëm shkaktuar shtetit në vlerën 124 milion lekë të reja.

Sipas KLSH-së vetëm dëmi i shkaktuar nga shkeljet dhe abuzimet me detyrën arrin në vlerën e 59 milionë lekëve. Pjesa tjetër e dëmit, prej 65 milion lekësh është shkaktuar nga shpenzime jo në përputhje me administrimin e fondeve publike. 

Nga auditimi u konstatuan një sërë shkeljesh dhe parregullsish në zbatimin e ligjit të prokurimeve. Shkelje janë gjetur në të paktën 8 procedura, si ai i mirëmbajtjes dhe riparimit të automjeteve, rikonstruksion i qendrës sociale, mirëmbajtje dhe pastrim i rrugëve nga dëbora, mirëmbajtje e rrugëve rurale, etj.

KLSH thotë se janë lidhur kontrata me negocim pa asnjë dokumentacion teknik dhe ligjor si dhe pa negociuar ofertën e paraqitur. KLSH vëren se janë nënshkruar shtesa kontrate pa dokumentacion bazë, pa asnjë preventiv të zërave të punimeve shtesë, madje edhe për zëra të cilat nuk ekzistojnë.

Auditi i KLSH-së ka konstatuar se janë prokuruar punime të kryera më herët nga komunat, si dhe ka pasur favorizime për sipërmarrësit e kontratave të shërbimit të mirëmbajtjes së rrugëve.

Tv Klan