“Grave dhe vajzave në fshat nuk u ofrohen shumë mundësi për t’u punësuar. Në këtë përfundim del një raport i KLSH, sipas së cilit papunësia në zonat rurale është më e lartë sesa në qytete”, raporton gazetarja e Tv Klan Dorina Halili.

Fshatrat e Qarkut të Kukësit, Elbasanit dhe Vlorës kanë numrin më të lartë të punëkërkuesve të papuna femra.

Sipas KLSH faktorët që pengojnë përfshirjen e grave në fshat në tregun e punës janë mungesa e transportit, mungesa pothuajse e plotë e çerdheve dhe kopshteve me drekë, si dhe mungesa e arsimimit dhe aftësive profesionale.

“Kemi pabarazi të theksuar gjinore, u mungojnë të njëjta mundësi që kanë burrat dhe djemtë për të ecur përpara. Kjo bën që thellësisht gratë të jenë më të varfra sesa burrat në fshat.”

“Përveç mungesës së shërbimeve dhe mundësive, janë edhe faktorët socialë ato që ndikojnë në punësimin e grave nga zonat rurale, siç janë emigrimi i burrave dhe mentaliteti”, shton gazetarja Halili.

Për pasojë gratë rezulton se punojnë në mënyrë mbizotëruese në bujqësi.

“Emigrimi i burrave dhe djemve ka krijuar këtë situatën që edhe më shumë vajzat dhe gratë janë të detyruara të punojnë në ekonomitë shtëpiake bujqësore. Duhet angazhim qeveritar, çka do të thotë që programet e punësimit duhet të mbështesin më shumë gratë dhe vajzat”, shprehet ekspertja e punësimit, Gertjana Hasalla.

KLSH u rekomandon njësive të vetëqeverisjes vendore që të marrin iniciativa afatgjata duke venë theksin në boshllëqet dhe në rolin që duhet të ketë gruaja në zonat rurale.

Tv Klan