Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka rekomanduar Institutit të Monumenteve të Kulturës që t’i kërkojë Këshillit të Ministrave dhe Bashkisë së Tiranës rindërtimin e godinës së Teatrit Kombëtar në të njëjtën zonë dhe me të njëjtin stil dhe pamje arkitektonike që ajo ka pasur.

Kjo kërkesë vjen pasi KLSH ka përfunduar auditimin e përputhshmërisë në Institucionin e Monumenteve të Kulturës. Në këtë auditim sipas agjencisë janë konstatuar disa problematika dhe shkelje të dispozitave ligjore në fuqi. Për këto të fundit, KLSH thotë se është paraqitur indicie penale në Prokurorinë e Tiranës, pasi kanë qenë ato ndryshime dhe shkelje që kanë pasuar me prishjen e Teatrit Kombëtar.

Nga auditimi është rekomanduar që “të merren masa të menjëhershme që procesi i miratimit  apo dhe nevoja e ndryshimit apo përcaktimit të kufijve dhe koordinatave  të Qendrës Historike të Qytetit të Tiranës  apo dhe qyteteve të tjera në vend, t’i nënshtrohet një procesi të gjerë e të plotë shqyrtimi dhe diskutimi, me argumente të qarta  nga institucionet shtetërore të përfshira në proces, si Këshilli Shkencor, Sekretariati Teknik i Këshillit Kombëtar të Restaurimeve, Ministri i Kulturës (në cilësinë edhe të Kryetarit të KKR) dhe vetë Këshilli Kombëtar i Restaurimeve, duke përmbushur dhe ushtruar kështu funksionet institucionale për të cilat janë krijuar”.

Një nga çështjet kryesore që trajtohet në raportin e auditimit është VKM-ja 180 e vitit 2000, kur është shpallur Ansambël Monument Kulture i aksit kryesor dhe qendrës historike të qytetit të Tiranës. 17 vite më vonë është miratuar një tjetër VKM (325) ku përcaktohet rregullorja  për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e vlerave historike-kulturore të Qendrës Historike dhe zonës mbrojtëse në qytetin e Tiranës dhe lejojnë vetëm ndërhyrje konservuese dhe restauruese.

Por KLSH thotë se dy ditë pas VKM-së me numër 325 Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar planin e Përgjithshëm Vendor të Bashkisë së Tiranës, një plan që nuk është i bazuar në kërkesat e VKM Nr. 325, në lidhje me ndërhyrjet e lejuara në territorin e Qendrës Historike dhe Zonës së Mbrojtur të Qytetit të Tiranës.

Me një tjetër VKM, sipas KLSH-së, ai me numrin 582 të vitit 2018 “Për shpalljen e Qendrës Historike të Qytetit të Tiranës dhe miratimin e Rregullores për administrimin e saj e të Zonës së Mbrojtur përreth” janë përcaktuar kufijtë e qendrës historike të qytetit të Tiranës dhe zonat ku do lejohen ndërtime të reja dhe zonat ku nuk lejohen ndërtime të reja.

“Pra me këtë VKM kanë ndryshuar kufijtë e qendrës historike të Tiranës, të cilat nuk janë në përputhje me objektin e ndryshimit të VKM-ve të mëparshme, si dhe në mënyrë kontradiktore dhe të pavërtetë fshehin ndryshimet reale të kufijve të qendrës historike, në kundërshtim me ligjin nr. 27/2018 datë 17.5.2018 “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë””.

Audituesit konstatuan se ndryshimet në këtë VKM reflektojnë kërkesat e Bashkisë Tiranë për zhvillime të reja në territor dhe nuk bazohen në studime e vlerësime të mirëfillta për përcaktimin dhe mbrojtjen e vlerave historike-kulturore të Qendrës Historike dhe zonës mbrojtëse në qytetin e Tiranës. Sipas KLSH, del qartë se Këshilli Kombëtar i Restaurimeve (KKR) ka ndryshuar vlerësimin për zonat historike e kulturore të Tiranës së objekteve, në varësi të interesit për ndërtime të reja në këto zona e mbi këto objekte.

“Si konkluzion, procesi i miratimit apo dhe nevoja e ndryshimit apo përcaktimit të kufijve sipas koordinatave nuk rezulton të jetë i plotë me argumente të qarta nga institucionet e përfshira në proces, si Këshilli Shkencor, Sekretariati teknik i Këshillit Kombëtar të Restaurimeve, Ministri i Kulturës, që është njëkohësisht dhe Kryetar i KKR”.

Prandaj në fund të auditimit, KLSH ka rekomanduar që Instituti i Monumenteve të Kulturës, në dritën e ngjarjeve të fundit lidhur me prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës të marrë masa të menjëhershme dhe të hartojë propozimet përkatëse  për ndryshimin e ligjit Nr. 27/2018 “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”, ku miratimi i planeve për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e pasurive kulturore të paluajtshme dhe deklarimi për pasuritë kulturore të paluajtshme, të grupuara sipas parashikimeve të këtij ligji, të behet me propozim nga Këshilli i Ministrave dhe miratim në Kuvendin e Shqipërisë me Ligj të veçantë.

KLSH ka rekomanduar të ndryshohet pika 1 e nenit 96 të Ligjit 27/2018 “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzeve”.

“Ministria përgjegjëse për trashëgiminë kulturore, në lidhje me pasurinë kulturore të paluajtshme, si dhe Këshilli i Ministrave, për grupimin e pasurive kulturore të paluajtshme, të kenë kompetencë të përcaktojnë zonën mbrojtëse, distancat, masat dhe normat e tjera që ruajnë integritetin e pasurive kulturore të paluajtshme, veçmas ose të grupuara, perspektivën, dritën, kushtet mjedisore dhe peizazhin, por miratimi i tyre  të bëhet në Kuvendin e Shqipërisë me Ligj të veçantë”.

Sipas KLSH-së, IMK në rolin e Sekretariatit Teknik të Këshillit Kombëtar të Restaurimeve si dhe Këshilli Shkencor, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës pasi të kryejnë analiza të plota të vendimmarrjes në të cilin kanë kaluar dy VKM-t e fundit të vitit 2017 dhe 2018 për ndryshimin e kufijve të zonës historike Tiranë, të propozojë revokimin e VKM-ve të sipërcituara për ndryshimin e vendimit për nxjerrjen jashtë  kufijve të zonës historike të sipërfaqes  ku ndodhej ndërtesa e Teatrit Kombëtar. Si dhe në zbatim të Vendimit të ndërmjetëm të KLSH nr. 36 datë 14.05.2020 “Për adresimin e problematikave të shfaqura mbi çështjen e Teatrit Kombëtar dhe propozimin për pezullimin e vendimmarrjeve mbi këtë objekt nga Kryetari i Bashkisë  dhe Këshilli Bashkiak i Tiranës”, t’i kërkojë Këshillit të Ministrave dhe Bashkisë Tiranë, rindërtimin e godinës së Teatrit Kombëtar në zonën ku ka qenë godina e mëparshme, në të njëjtin stil  dhe pamje arkitektonik që ajo ka pasur, me të njëjtat volume dhe në  të njëjtin projekt./tvklan.al